Qeveria MIRATON amnistinë penale! Lirim i menjëhershëm për 447 të burgosur dhe ulje dënimi për 853 të tjerë (DOKUMENTI)

Qeveria ka miratuar sot Amnistinë penale, pas mbledhjes së Këshillit të ministrave. Sipas deklaratës së bërë nga Ministri i drejtësisë Besfort Lamallari, 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu dhe 853 të tjerë ulje dënimi. Mes tyre ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj
Sipas Lamallarit: “ky është një hap konkret që ul presionin e popullimit të burgjeve dhe për të fokusuar drejtësinë aty ku rreziku shoqëror është real. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës si dhe standardet evropiane”
Po ashtu Lamallari, u shpreh se Kuvendi duhet ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa në mënyrë të tillë që amnistia të fillojë efektet e saj.
“Nga kjo amnisi nuk përfitojnë subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posacme për Korrupsionit dhe Krimit e Organizuar.”, shtoi ministri ndër të tjera.
Sakaq, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, së fundmi, ka finalizuar verifikimin e iniciuar kryesisht për zbatimin e ligjit “Për dhënie amnistie”, bazuar në të dhënat e administruara në kuadër të verifikimit të kryer pranë gjykatave dhe zyrave të prokurorive.
Iniciativa e ILD-së ka ardhur për zbatim të drejtë dhe efektiv të qëllimit që kanë nismat penale për dhënie amnistie.
Për rrjedhojë, ILD ka vijuar me administrimet nga Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve, të dhëna mbi problematika të mundshme të konstatuara gjatë zbatimit të këtij ligji, sa i takon zbardhjes së vendimeve gjyqësore; nxjerrjes së urdhrave të ekzekutimit nga prokurori; si dhe çështje të tjera që lidhen me veprimtarinë e magjistratëve.
Kujtojmë se dy ditë më parë, qeveria paraqiti draftin e amnistisë penale, ku paraqitej se lirim të menjëhershëm do të përfitojnë burrat që janë dënuar deri në 3 vite burg ose u ka mbetur për të vuajtur deri në 3 vite, si dhe gratë e dënuara deri në 4 vite ose me 4 vite të mbetura burg. Po ashtu, amnistia përfshin gratë mbi 50 vjeç, burrat mbi 60 vjeç dhe personat që në momentin e kryerjes së veprës penale kanë qenë 18 vjeç ose më të vegjël, me përjashtim të veprave të rënda penale.
Në draft po ashtu parashikohej ulje dënimi me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit, ndërsa rreth 9 mijë persona të tjerë përfitojnë pushim të ndjekjes penale për vepra të kryera deri më 31 dhjetor 2025, të dënueshme deri në 3 vite burg.
Nga amnistia përjashtohen 19 kategori veprash të rënda penale, përfshirë krimet kundër jetës, krimet seksuale, korrupsionin, terrorizmin, bandat e armatosura, si dhe të gjitha veprat që gjykohen nga GJKKO.
Fjala e ministrit Besfort Lamallari:
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam Amnistinë Penale, nismën që prezantuam rreth një muaj më parë dhe nga sot ky vendim depozitohet në Kuvend. Nga të dhënat më të fundit të rakorduara me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës si dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se plot 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi, ndërkohë nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 të dënuar me masa alternative. Për më tepër, duke filluar nga viti 2024 pushohet ndjekja penale për plot 14 mijë procedime për vepra të lehta.
Përveçse një akt i qartë human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe ri-integrim, ky është një hap konkret që ul presionin e popullimit të burgjeve dhe për të fokusuar drejtësinë aty ku rreziku shoqëror është real. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur që synon riintegimin dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale teksa ne po punojmë për të ulur përdorimin e panevojshëm të paraburgimit, në përputhje me shqetësimet e drejta të ngritura nga Këshilli i Evropës si dhe standardet evropiane
Objektivi ynë ambicioz është të kemi një sistem që di të ndëshkojë fort kur duhet, por edhe të japë një shans për t’u rikthyer në shoqëri. Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim, por edhe një mundësi e dytë e drejtuar nga humanizmi dhe rehabilitimi. Falënderoj të gjitha institucionet që kontribuuan në këtë proces dhe pres që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin sa më parë, në mënyrë që efektet pozitive të amnistisë të ndihen nga mijëra familje shqiptare.
Nga kjo amnisi nuk përfitojnë subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posacme për Korrupsionit dhe Krimit e Organizuar.