Shqiptarët sërish tregojnë që bashkë ia dalin, në kohë rekord mbledhin mijëra euro për të sjellë në Shqipëri trupat e familjes Kola

Një tjetër dëshmi se shqiptarët, kur bëhen bashkë, dinë të tregojnë zemrën e madhe që kanë! Tragjedia e rëndë që i mori jetën një familjeje shqiptare në Itali javën e kaluar ka prekur thellë opinionin publik, duke bërë që bashkëkombasit t’i përgjigjeshin thirrjes së familjes Kola për të sjellë në atdhe trupat e familjarëve të tyre të cilët humbën jetën tragjikisht mbrëmjen së mërkurës.
Brenda vetëm dy ditësh, janë mbledhur mbi 75 mijë euro në platformën GoFundMe për familjen Kola. Arti Kola, së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, humbën jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit, i çliruar nga një kaldajë gazi e instaluar së fundmi në banesën ku jetonin.
Ishte vëllai i 48-vjeçarit, Durim Kola, i ai cili ditë më parë u bëri thirrje shqiptarëve dhe u shtriu atyre dorën ëpr ndihmë me qëllim për të mbledhur shumën që i nevojitet për mbulimin e shpenzimeve funerale dhe për transportimin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore.
Dhjetëra qytetarë kanë shprehur solidaritetin e tyre përmes donacioneve që variojnë nga 50 deri në 500 euro, duke dëshmuar edhe një herë se në momentet më të errëta, shqiptarët dinë të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit.