Shtatoren e Kadaresë e financoi Timo Flloko! Vazhdon debati: Mira Meksi, Rita Petro, Odise Kote, Sadik Bejko në mbrojtje të Bujar Hudhrit pas akuzave të mjekut Brataj

Debati për shtatoren e Ismail Kadaresë vendosur në oborrin e kafe Juvenilja ku ai ka kaluar pjesën më të madhe të mëngjeseve të tij deri në ndarjen nga jeta, po merr përmasa të diskutimeve nëse Bujar Hudhri botuesi, e ka mbrojtur shkrimtarin apo e ka ndarë nga njerëzit.

Ditën e djeshme, mjeku Skënder Brataj replikoi me Bujar Hudhrin duke e konsideruar hipokrit, në kohën që ky I fundit “u ankua” në rrjetet sociale se nuk I ishte dhënë fjala në ceremoni.

Gazetari Mentor Kikia i jep më shumë jehonë debatit në një shënim të gjatë në mbrojtje të botuesit Bujar Hudhri dhe në komentet e mëtejshme, shumë intelektualë janë rreshtuar pro e kundra njërit apo tjetrit personazh.

Ajo që bën përshtypje nga komentet është se shtatorja e Kadaresë është financuar nga aktori i madh Timo Flloko dhe disa miq të shkrimtarit. Këtë fakt e nxjerr publikisht vëllai i mjekut Brataj. Ky i fundit nuk është përfshirë në debatin që ka hapur Kikija, ndërkohë që vëllai i tij, ka qenë aktiv duke kthyer përgjigje për komentuesit.

Agron Brataj është vëllai i doktorit, Skënder Brataj, njeriu që edhe foli në ceremoni.  Pasi ka lexuar shënimin e Mentor Kikisë, ai vazhdon linjën e të vëllait, duke e konsideruar botuesin Hudhri një njeri që me Helena Kadarenë e lidh thjesht lidhja ekonomike.

“Së pari, duhet të dish realisht lidhjen e Bujarit me Kadarenë, e cila ka qenë një lidhje ekonomike.

Së dyti, duhet të dish edhe lidhjen miqësore të doktorit me familjen Kadare dhe me vetë Kadarenë.

Nëse ti je mik i Bujarit, shumë mirë, dhe nuk ka asgjë të keqe në këtë. Por të dalësh në krah të Bujarit për xhelozinë hipokrite që ai ka treguar jo vetëm ndaj doktorit për bustin në bronz, kjo nuk qëndron.

Bustit nuk ia ka bërë vetëm doktori, por Timo Flloko dhe, një mik tjetër i familjes, si edhe skulptori Henri Mimani thjesht si mirënjohje dhe vlerësim për Kadarenë.

Por ajo që nuk të falet është kur thua se vepra e Kadaresë nuk do të ishte kjo që është sot pa Bujarin. Kjo, sinqerisht, nuk të falet” shkruan Agron Brataj.

Shkrimtarja Mira Meksi përfshihet në debat:

“Mentor i dashur ke shkruar te verteta te patjetersueshme. Fale rolit misionar të botuesit Bujar Hudhri në letërsine shqipe dhe në adhurimin ndaj veprës së Kadaresë, sot ne kemi veprën e Kadaresë, mjeshtrit të gjithkohshëm të gjuhës sonë. Askush dhe asgjë s’mund ta errësojë apo ta mpakë rolin e zotit Hudhri në mbarëvajtjen e veprës kadareiane në shqip apo në jetën private të Kadaresë. Para dy ditësh lexova qe nje vajze a zonje kish kujtuar se B. Hudhri ishte biri i Kadaresë. Dhe vërtetë, z.Hudhri ka qenë biri që Kadareja nuk e pati”.

Edhe Sadik Bejko I jep të drejtë analizës së Mentor Kikisë:

“Po. Këto fjalë të Mentorit janë me vend. Bujari dhe Kadareja me kohë ishin të lidhur ngushtë në një marrëdhënie që Kadareja me personalitetin e tij ta impononte. Kultura shqiptare, miqtë e Kadaresë, duhet t’ia dinë Bujar Hudhrit kontributin profesional të botuesit, por dhe përkushtimin e pakursyer ndaj njeriut dhe gjithë asaj që mund të quhet “institucioni” Kadare. Kadareja pothuaj ishte në punë 24 orë çdo ditë. Dhe Bujari në këmbë pranë tij”.

Odise Kote është rreshtuar po ashtu në krah të botuesit Hudhri.

“Bujar Hudhri është Njeriu, Miku dhe Botuesi unik që ia kushtoi jetën e tij intelektuale shërbimit për shkrimtarin Ismail KADARE. Më parë se gjithë të tjerët, ai kuptoi se shërbimi me çdo lloj sakrifice për Kadarenë, ishte dhe mbetet shërbim për Letërsinë e Kulturën Kombëtare, për Gjuhën Shqipe, për identitetin dhe orientimin perëndimor të shqiptarëve. Historia, siç di ajo, do të flasë vetëm për gjeniun Kadare, botuesin Onufri dhe aspak për përfituesit e rastësishëm”.

Rita Petro nuk ka mbetur jashtë konstatimit në debat:

“Pikërisht të njëjtën gjë mendova dhe unë, Mentor. Bujari ka jetuar me Kadarenë.Sakrifica e tij dhe e çdokujt që qëndron në krah të një njeriu të madh, ia kalon përfitimit financiar qindra herë. Është vepër shpirtërore”.

Kapakun kësaj tymnaje që po trazon rrjetet sociale ia ka vënë një komentues që e ka konsideruar një debat të panevojshëm.

Shkruan Besnik Begaj:

Nje Debat që nuk asnjë vlerë. Cili është qëllimi i këtij Debati?! Nis me disa rreshta që poston Kikia, vazhdon me postime ku nuk ka të bëje fare me Kadarenë, por ka të bëjë me atë se kush është “Beluli” dhe roli i tij pranë Kadaresë.

Këta të vetëshpallur “Intelektualë” vetëm të tillë nuk janë sepse Intelektuali ka cilësi të tilla qe këta nuk i kanë. Jane shumë të rrallë Intelektualët në këtë vend. Në përfundim kur këta të heshtin lind pyetja pse u zhvillua ky Debat kujt i shërbeu?

Back to top button
LAJMET E FUNDIT