Sot togat e zeza i “prenë” fatin, zbulohen planet e kryebashkiakut socialist pasi u dënua me burg, çfarë pritet të bëjë Edison Memolla

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla pritet që nesër të shkojë me “këmbët e veta” në Komisariat. Burim për mediat bëjnë me dije se Memolla, për të cilin ditën e sotme Apeli i GJKKO-së la në fuqi dënimin me një vit burg, pritet që të vetë-dorëzohet në Polici.
Sipas të njëjtave burime mësohet se vetë-dorëzimi i tij do të bëhet pasi të ketë deleguar detyrat e tij.
Ditën e sotme togat e zeza lanë në fuqi vendimin për dënimin me 1 vit burg, dhënë më parë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, dhe në kushtet kur vendimi ka marrë sot formë të prerë, Policia e Shtetit është urdhëruar të arrestojë Edison Memollën. Ai është shpallur fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim.
Kryebashkiaku socialist nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, pasi ka zgjedhur të përfaqësohet nga avokati i tij mbrojtës.
Dy vjet nga zgjedhjet lokale të vitit 2023, Bashkia e Rrogozhinës do u drejtohet sërish kutive të votimit. Me shpalljen e vendimit të Gjykatës së Posaçme, pritet që të shpallet dhe vakanca nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e më pas Presidenti i Republikës të dalë me dekret për zgjedhjet e parakohshme.
Procedimi penal është regjistruar më shumë se një vit më parë, pas transmetimit në rrjetet televizive të një regjistrimi audio, ku Edison Memolla, atëkohë kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, ndikon tek elektriçisti Blerim Xhamani për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022.
Nga tërësia e veprimeve, SPAK arriti të provonte se Edison Memolla ndikoi tek elektriçisti Blerim Xhamani për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij, si dhe komunikonte për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.