Tentoi të vidhte postën dhe një market në Shkodër, VIDEO: 24 vjeçari fshihej në tavanin e shtëpisë, momenti kur policët e gjejnë

Autori i dy tentativave për grabitje dje në kryeqendrën e veriut, një 24 vjeçar nga fshati Guci e Re në Shkodër, është arrestuar nga Policia në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Efektivët e kanë gjetur të fshehur në tavanin e shtëpisë.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe ndjekjes pa ndërprerje, të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda, me mbështetjen e forcës së posaçme “Shqiponja” dhe nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër,  në kuadër të operacionit policor të koduar  “Reagimi”, u identifikua dhe u arrestua shtetasi:

– M. M., 24 vjeç, banues në fshatin Guci e Re, i cili ishte fshehur në tavanin e banesës së tij  për t’ju shmangur Policisë.

Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Vasil Shanto”, duke kërcënuar me një mjet prerës (thikë), ka tentuar të vjedhë me dhunë në filialin e Postës Shqiptare. Gjatë largimit, ka thyer xhamin e sportelit dhe është larguar me një biçikletë të vjedhur.

Gjithashtu, pak minuta më pas, dyshohet se ka tentuar sërish, po me kërcënimin e mjetit prerës (thikë), të vjedhë me dhunë një subjekt market në lagjen “Fahri Ramadani”. Gjatë largimit, në lagjen “Skënderbeg”, dyshohet se ka vjedhur një biçikletë tjetër.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, si dhe biçikletat e vjedhura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, e mbetur në tentativë, “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT