U përpoq t’i shpëtonte por nuk mundi, flet për herë të parë mes lotësh Turim Kola: Më ra të fikët

Vëllai i Arti Kolës ka dalë nga spitali, ku po kurohej pas helmimit, dhe para miqve e familjarëve është shprehur i tronditur dhe i lënduar nga dhimbja që nuk arriti t’i shpëtonte dot 4 anëtarët e familjes.
“Nuk munda t’i shpëtoja, nuk munda t’i shpëtoja”, ka deklaruar Turim Kola. Ai u shtrua në spital në Piza, pasi humbi ndjenjat gjatë ngjarjes. “Më ra të fikët”, ka treguar ai.
Turim Kola i mbijetoi helmimit nga monoksidi i karbonit, i cili, mbrëmjen e së mërkurës, i mori jetën një familjeje të tërë: Arti Kola, 44 vjeç, bashkëshortes së tij Jonida, djalit të tyre Hajdar, 22 vjeç, dhe vajzës së tyre Xhesika, 15 vjeçe.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:48, kur karabinierët dhanë alarmin. Në vendngjarje mbërritën dy oficerë së bashku me Turim Kolën, vëllain e viktimës. Ata u helmuan pasi thyen derën e banesës, sepse askush nuk po përgjigjej në shtëpinë e familjes.
Zëvendësprokurorja Paola Rizzo ka hapur një hetim për vdekje të shumëfishtë dhe ka urdhëruar kryerjen e një ekzaminimi të jashtëm si dhe analizat e gjakut, për të përcaktuar nëse monoksidi i karbonit ka qenë shkaku i vdekjes së familjes Kola.