Uji vërshon në rrugët e Shkodrës, Bardh Spahia sulmon Benet Becin: Shiu grisin maskën e bashkisë, natyra rrëzoi propagandën

Deputeti demokrat i Shkodrës, ish-kryebashkiaku i kryeqendrës së veriut Bardh Spahia ka sulmuar Benet Becin, duke thënë se reshjet e shiut që ranë pasditen e sotme, kanë rrëzuar propagandën e tij dhe të institucionit që drejton.
Sipas tij, uji ka vërshuar në rrugët e qytetit dhe gjithçka që është pretenduar se është bërë, ka qenë vetëm për fasadë në rrjetet sociale.
“Sot natyra rrëzoi me një të rënë shiu propagandën bajate që po na serviret prej 3 vitesh! Uji që ka pushtuar rrugët është pasqyra e vërtetë e “Rilindjes” suaj false. Prej tre vitesh, Shkodra po gërryhet nga një model i shpifur, një fasadë “alla Open Society”, të tipit Erion Veliaj që është asgjë më shumë se një ANTI-VLERË.
Një model që lyen fasada për Instagram, ndërkohë që qyteti rrënohet nga brenda. Ju keni investuar vetëm në dukje, në shfaqje boshe, në tallava që nuk kanë asgjë të përbashkët me Shkodrën duke harruar nevojat thelbësore, duke vjedhur fondet dhe duke lënë kolektorët të bllokohen nga llumi i korrupsionit tuaj”, shkruan Bardh Spahia.
Deputeti demokrat pyet se ku shkuan paratë e taksapaguesve që u harxhuan për kolektorin që do zgjidhte përfundimisht problemin e përmbytjes së rrugëve të qytetit, duke theksuar “Apo ishte një shërbim që u bë në funksion të ndërtimit të kullës shumëkatëshe?”
Bardh Spahia i quan drejtuesit socialistë të Shkodrës, të paaftë dhe mashtruesa të turpshëm. Sipas tij, Shkodra duhet t’u kthehet qytetarëve, jo të mbytet në ujërat e një pushteti mashtrues.
”Kjo që shohim sot është rezultati i një politike që jeton vetëm për të hedhur hi syve dhe për të vjedhur fonde publike. Mjaft me fasada që fshehin hajdutërinë! Mjaft me modele të importuara e të imponuara që nuk kanë lidhje me shpirtin e Shkodrës”, përmbyllet reagimi.