Macron propozon ndërmjetësimin BE-Rusi në Bjellorusi: Gati të mbështetsim bjellorusët me OSBE-në

Në mes të tensioneve të shumta në Bjellorusi, Presidenti francez Emmanuel Macron ka propozuar që Brukseli dhe Moska të mund të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike në Bjellorusi.
Sot u bë e ditur për një bisedë të zhvilluar mes tij dhe kancelares gjermane Angela Merkel në jug të Francës.
Dy liderët europianë u shprehën të gatshëm për dialog me bjellorusët, nëse këta të fundit aprovojnë.
“Një dialog midis autoriteteve, opozitës dhe shoqërisë civile është thelbësore”, tha Macron.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me Kancelaren gjermane Angela Merkel në Fort de Bregancon mbi Rivierën Franceze, Macron gjithashtu tha se presidenti Rus Vladimir Putin reagoi në mënyrë të favorshme ndaj propozimit për rolin e OSBE-së.
Bashkimi Europian ka kërkuar ndërmjetësim nga ana e OSBE-së për të zgjidhur krizën politike në Minsk, por edhe ky version është refuzuar nga ana e kreut të shtetit bjellorus Lukashenko.
“Shpresojmë që ky dialog të mund të vendoset nga vetë bjellorusët, megjithatë BE është gati që t’i mbështesë, nëse roli ynë i ndërmjetësimit mund të jetë i dobishëm dhe dëshirohet nga bjellorusët, së bashku me institucione të tjera, veçanërisht OSBE-në, përfshirë edhe Rusinë në dialogun e kërkuar”, theksoi presidenti francez, përkrah kancelares gjermane, Angela Merkel.
Qindra protestues bjellorusë u mblodhën në Minsk të Mërkurën në mbrëmje, duke kundërshtuar urdhrin e fundit të Lukashenko policisë së tij për të pastruar rrugët e kryeqytetit pas një javë e gjysmë tubimesh kundër sundimit të tij.
Vendi po përballet me krizën e tij më të madhe politike që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.