Misteri i shtyrjes së Samitit të Uashingtonit: Hoti ngre supet, asnjë mesazh nga Uashingtoni
Lajmi që ka futur në ankth Kosovën prej mbrëmë është mundësia e shtyrjes së takimit të Uashingtonit më 2 shtyator. Lajmin e ka dhënë televizioni i Dukagjinit, duke ju referuar një burimi që nuk e përmend.
Televizioni që konsiderohet afër Presidentit Thaçi nuk jep detaje, por sot zyra e Kryeministrit të Kosovës Abdullah Hoti ka thënë se nuk ka asnjë qëndrim zyrtar që takimi do të shtyhet.
I pyetur për këtë çështje, Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Hoti, ka thënë se nuk ka konfirmim zyrtar se ky takim është shtyrë.
“Zyra e kryeministrit nuk është në dijeni për këtë anulim të takimit. Po të kishte diçka të tillë menjëherë do bëhej publike nga ana e jonë”, tha Beqiri.
Kjo është tentativa e dytë për mbajtjen e këtij takimi midis Kosovës dhe Serbisë në Uashington.
Në muajin qershor ishte planifikuar takimi i parë, mirëpo nuk u mbajt pasi Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Në fakt pas këtij lajmi ende nuk ka një sinjal nga organizatorët e takimit, që janë i dërguari i Presidentit Trumo, Richard Grenell apo edhe këshilltari për Sigurinë Kombëtare Bob O’Brien.