Gent Cakaj sulmon ashpër Veton Surroin, pas kritikës ndaj Ramës për Bjellorusinë

Ministri i Jashtëm në detyre i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka sulmuar ashpër publicistin Veton Surroi, pasi ky i fundit në një analizë të tijën ka kritikuar ngadalësinë e veprimit të Edi Ramës si kryetar i radhës i OSBE-së për të vepruar në krizën e shpërthyer në Bjellorusi.
Veton Surroi, duke analizuar presidencën shqiptare të OSBE-së thekson se Rama e nisi kryesimin me krizën tashmë të faktkryer të Ukrainës, pra pushtimit të një pjesë të saj nga Rusia dhe po e mbyll me një krizë të drejtash në Bjellorusi.
Surroi, pasi përmend një aksiomë kineze për krizën dhe zgjidhen e saj si logjikë, thekson se Shqipëria nuk ka mundësi të negocojë për këtë çështje, se ka edhe probleme të sajat me zgjedhjet, por edhe mënyra e qasjes së presidencës së OSBE-së ka qenë e përciptë.
“Kjo është njëra anë e efektit negativ që do të pësojë vendi. Ana tjetër është pyetja e thjeshtë të përsesë së ‘ikjes nga topi’. Dhe ja tri përgjigje të thjeshta. Një, kryesimi i OSBE-së nxjerr natyrshëm në pah diplomacinë e një vendi e Shqipëria mbeti pa ministër të jashtëm para se ta merrte kryesimin dhe ende nuk e ka gjetur atë. Dy, Shqipëria edhe vetë ka kriza, madje ciklike, rreth zgjedhjeve dhe gjendet në një të këtillë edhe sot. Është vështirë të shkosh e të predikosh për zgjedhje legjitime në Bjellorusi, ndërsa vetë vendi kushtëzohet nga Gjermania dhe partnerët e tjerë evropianë për t’i mbajtur ato. Dhe tre, Shqipëria nuk ka arritur të krijojë një kohezion funksional mes pushtetit e opozitës. Është vështirë të shkosh në Minsk, apo madje edhe në Prishtinë, e të thuash se si të gjitha forcat politike duhet të bashkohen rreth disa parimeve për të mirën e shtetit, por këtë nuk mund ta bësh brenda Shqipërisë”, shkruan Surroi, i cili përmend edhe faktin se Shqipëria nuk ka një ministër funksional të Punëve të Jashtme, por një në detyrë siç është Edi Rama dhe një ushtrues të detyrës siç është Gent Cakaj.
Por përgjigja e Cakajt, shqiptarit nga Kosova që drejton diplomacinë shqiptare është e fortë, pasi ai tenton ta rrëzojë argumentin e Surroit edhe në koncept, por edhe në polemikë, duke i përmendur edhe një nga personazhet letrarë të tij “milionerit”, ku Surroi thumbon një politikan të njohur të Kosovës.
“Surroi shton edhe një vërejtje për cilësinë e diplomacisë shqiptare me pretendimin se ajo ende nuk ka gjetur një Ministër të Jashtëm. Në fakt Shqipëria e ka Ministrin e Jashtëm dhe për dijeninë e Surroit ai quhet Edi Rama, kështu që Surroi mund t’ia kursente vetes këtë lajthitje emocionale, e cila e bën kuaziqesharak në analizën e tij tendencioze. Përkundër këtij shënimi, duhet gjithësesi nënvizuar fakti se pas hapjes së bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian dhe Kryesimit të sukesshëm të OSBE-së, Shqipëria është në një vlug të pashembullt përpjekjesh diplomatike për të siguruar ulësen e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit 2022-2023. Kështu pra, përtej relativizimeve cinike me padijeni e mllef nga zëra që vërtetë mund të ndihmonin në vend se të zhurmonin, diplomacia e Shqipërisë është duke kaluar objektivisht në një prej fazave me vëllimin më të madh të punës në gjithë historinë e saj. Kërkesa për ‘pikën e kthesës’ së Shqipërisë nuk është e fajshme në vetvete, por ajo nuk justifikon kurrëfarë shtrembërimi faktesh apo përfundimi të pathemeltë, qoftë në rrafshin e politikës së brendshme apo asaj të jashtme. Këshillat e lira, mungesa e informacionit, shtrembërimi i fakteve dhe mllefi që i frymëzon, bëjnë që opinioni i Surroit të vlejë njësoj sikurse vlera e të hollave të protagonistit të tij letrar, Milionerit..”