Zâ-Fest: priteni online jehonën shqiptare!
NJË QIELL, NJË HËNË, NJË MELODI

Ku bashkohen kreshtat me qiell, bëhen bashkë legjenda me të renë…
Muji me Halilin, u mëkuan me qumështin e zanave të maleve dhe trimëria e tyre mori dhenë. Dhe burrëria e tyre u këndua me lahutë, vargjeve që buronin prej atyre majave të larta. Ndër ato horizonte t’ashpra, lindte epika e rrallë legjendare… e sot, vjen e përkundet po prapë n’at vend… /Konica.al

Kohë që ikin e kohë vijnë… Me kureshtje kthen kryet nga historia, kush e njeh origjinën e lashtë të vendit të tij. Shumë artistë shqiptarë me aktivitet kryesisht jashtë atdheut, e kanë gjetur një strehë të re për “kohën e vjetër”.
Një ndër ta (nismëtari) është Vlashent Sata – kantautori i mirënjohur, me banim në Francë. Këngëtari ka bërë me dije, se edicioni i katërt i “Zâ-Fest” do të jetë online, me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë, si edhe nga diaspora.
Nëpërmjet një statusi “Facebook”, ai shprehet se, pavarësisht situatës së vështirë, tash e sa kohë në vend, “Zâ-Fest” edhe këtë herë, do të sjellë paksa rreze shprese.

“Të dashur miq, këtë vit më shumë se kurrë, nuk donim të mungonim për ju, ndaj njoftojmë se Zâ Fest 4 vjen online këtë vit. Ndonëse të gjithë e njohim situatën e vështirë në të cilën ndodhemi, nuk duam gjithsesi të mungojmë e të sjellim pak dritë shprese. Së bashku, do të shihemi shumë shpejt nëpërmjet ekraneve të rrjeteve tona sociale” – shkruan ai.

Hera Lera