“KÇK” edhe në sistemin TIMS, a po shkelet ligji me të dhënat personale?

Shqipëria shkel të drejtat mbi të dhënat personale. Nuk ndodh vetëm në rastet e krimeve të dukshme, e thënë ndryshme në kushtet e flagrancës, por edhe nga vetë institucionet.
Së fundi, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vëren një shqetësim në rritje të qytetarëve lidhur me ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave të tyre personale, si dhe për sigurinë dhe ruajtjen e konfidencialitetit të tyre.
Ky shqetësim konstatohet në ankesat e paraqitura nga subjektet e të dhënave pranë Zyrës së Komisionerit, si dhe në indicie, të publikuara në media të ndryshme, lidhur me pretendime për përhapje të paligjshme të të dhënave personale, veçanërisht atyre shëndetësore, të pacientëve të infektuar me COVID-19.
Por nuk bëhet fjalë vetëm për këto raste. Mjafton të lexosh aktin normative të Qeverisë për atë që njihet gjerësisht si AntiKÇK, ose Forca e Ligjit. Sipas ligjit të miratuar në parlament në 31 janar të këtij viti, OFL së bashku me Drejtorinë e Antiterrorit janë strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit për zbatimin e dispozitave të këtij akti normativ.
Dhe detyrat e tyre janë mbledhja e informacioneve, përditësimi, përpunimi i të dhënave dhe kryerja e çdo veprimi administrativ, procedural e hetimor që parashikohet për Policinë e Shtetit, në zbatim të këtij akti normativ, si dhe detyra të tjera të përcaktuara me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Në përmbushje të detyrave të veta – shkruhet në ligj, OFL-ja asistohet dhe bashkëpunon me institucione të tjera shtetërore që ngarkohen me zbatimin e këtij akti normativ, si edhe nga ekspertë të fushës, organizata dhe agjenci partnere të huaja ligjzbatuese.
Por, ajo që përbën shkelje të ligjit ka të bëjë me të drejtën e marrjes së informacionit. Sepse në nenin 31 të ligjit, ose Aktit Normativ, përveç aksesit në database-in e Policisë së Shtetit, OFL-ja ka akses në informacionin apo bazën e të dhënave të institucioneve publike, përfshirë Sistemin e Menaxhimit Total të Informacionit (TIMS).
Kjo hyn tek shkeljet e ligjit për të Dhënat Personale, sepse ligji e ka të saktësuar që duhet të merret vetëm me pasuritë e vëna përmes aktivitetit kriminal, çka nënkupton se nuk mund të marrë të dhëna përtej objektit të parashikuar në ligj.
Policia e pyetur për këtë shkelje jep si argument nenin 33 të po këtij ligji, ku specifikohet e drejta për akses të menjëhershëm.
Në këtë nen të ligjit shkruhet se kur në bazë të informacioneve që disponohen nga OFL-ja/Njësia Antiterror në Policinë e Shtetit dyshohet se subjekti i këtij akti normativ po planifikon, organizon apo merr pjesë në kryerjen e një krimi të organizuar apo veprimtarie terroriste dhe kjo veprimtari nuk mund të zbulohet dhe të parandalohet në mënyra të tjera apo me aplikimin e masave parandaluese të parashikuara nga ky akt normativ, drejtuesi i OFL-së, vetëm ose në bashkëpunim më drejtuesin e Njësisë së Antiterrorit, nëse jemi në kushtet e dyshimit për veprimtari terroriste, mund të kërkojë akses për strukturat e policisë në operatorët që përdorin rrjetet dhe ofrojnë përdorimin e shërbimeve elektronike e telefonike të çdo lloji, për identifikimin në kohë reale të subjektit a numrit të telefonit, të numrit të aparatit telefonik (IMEI) apo lokalizimin e antenave loguese të dy komunikuesve, si dhe krijimin e mundësive të identifikimit të përdoruesit fundor të internetit.
Por, pavarësisht nga kjo fakt është se deri më tani formularët për deklarimin e pasurisë në harkun kohor të 48 orëve u janë dërguar atyre personave që nuk janë akuzuar për akte terroriste, ose në gjuhën policore nuk kanë qenë në kushtet e kryerjes së një krimi në flagrancë.
©Copyright Gazeta Shqip