Plani anticovid në shkolla, eksperti Dasho: Duhet buxhet specifik, ka kosto të lartë

Në shtator, shkollat duhet të jenë gati për të pritur nxënësit ndonëse mësimi do të kryhet në një situatë të veçantë të krijuar nga pandemia e koronavirusit. Specialisti i shëndetit publik Erjon Dasho thotë se duke parë vështirësinë e menaxhimit të situatës epidemiologjike në popullatë, aq më e vështirë do të jetë kontrolli i pandemisë në shkolla.
“Qeveria duhet të sigurojë buxhetin e nevojshëm për furnizimin e shkollave me maska për personelin, dezinfektantë e higjienizues pasi rekomandohet dezinfektimi i ambienteve çdo 2 orë, dorezat e dyerve, dritaret etj, ujin e bollshëm në rrjet për larjen e duarve të nxënësve. Po ashtu, nëse do duhet të zbatohet me përpikëri plani anticovid, mësimdhënia duhet të kryhet në klasa me 10-15 nxënës e për këtë do të duhet buxhet shtesë për zhvillimin e orëve ekstra për pjesën tjetër të nxënësve”, thotë për “Shqip” specialisti i shëndetit publik Erion Dasho.
Por çfarë duhet bërë në këto kushte? Specialisti Dasho thotë se duhet ngritur një grup pune multisektorial pra nga të gjitha institucionet dhe i përhershëm, me qëllim që duke parë dhe përvojën e huaj të hartojnë një plan strategjik me bazë të gjerë rekomandimesh e udhëzimesh nga ekspert? të fushave të ndryshme si ekonomistë, psikologë, pedagogë e mjekê epidemiologë.
“Ajo që duhet kuptuar është se shkolla nuk është një ishull. Ajo është pjesë e një sistemi dhe për sa kohë pandemia është e vështirë të kontrollohet në popullatë, në shkolla do të jetë e pamundur”, thotë Dasho.
Nisur nga infrastruktura shkollore, specialisti i shëndetit publik thotë se jo të gjitha duhet të jenë pjesë e planit strategjik.
“Ka shkolla që nuk kanë numër të madh nxënësish e për pasojë nuk kanë nevojë të kryejnë mësimin me turne por ka dhe shkolla të mëdha sidomos në qytete të cilat janë vatra të nxehta të infeksionit si Tirana e Durrësi ku duhet përqendruar më shumë vëmendja”, tha për “Shqip”, specialisti i Shëndetit Publik Erjon Dasho./Shqip