Mbi 200 mijë dosje pa vendim/ Gjyqet nuk zhvillohen, gjyqtarët janë shkarkuar nga vettingu, të tjerë presin emërimet

Gjyqësori është në kaos. Shumë gjyqtarë janë shkarkuar, të tjerë kanë dhënë dorëheqjen e një tjetër listë pret t’i nënshtrohet procesit të verifikimit edhe pse për këtë vit ritmet kanë qenë shumë të ulëta për shkak të pandemisë Covid 19.

Por pasojat janë të rënda. Sepse, nga njëra anë janë me mijëra dosje që presin një vendimmarrje dhe nga ata tjetër mungesa e trupave gjyqësore. Sakaq Këshilli i Lartë Gjyqësor akoma nuk ka kryer emërime të reja, edhe mbi tavolinë ka propozimet, porse i kërkon më tepër kohë procesi i verifikimit të magjistratëve.

Në një raport të dorëzuar në Kuvend, shoqëruar me kërkesën për hapjen e vendeve të lira në gjyqësor, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami foli edhe me gjuhën e shifrave.

Ajo tha se stoku i dosjeve në Gjykatën e Lartë është shtuar me 5654 çështje, duke e çuar në mbi 34 300 numrin e tyre në total. Por, nëse në gjykatën e lartë duket se diçka po hyn në linjë, gjykatat e Apelit dhe ato të shkallës së parë janë në “pikë të hallit”.

Sepse, “shpata” vetting ka këputur shumë prej “togave të zeza” dhe gjyqësori ka mbetur pa trupa të mirëfillta. Në Durrës janë mbi 600 dosje që presin të gjykohen, një vendim për të cilat do të zgjidhte konfliktet mes palëve në proces.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Tiranë realizon numrin më të madh të shqyrtimeve gjyqësore krahasuar me çdo gjykatë tjetër në Shqipëri. Kjo Gjykatë jep mesatarisht në një vit mbi 15 mijë vendime për çështje nga më të ndryshimet, ku pjesa dërmuese janë civile.

Ngarkesa për këto të fundit vjen vazhdimisht në rritje çdo vit 7 deri në 10 për qind, ndërkohë që trupa gjyqësore e kësaj gjykatë mbetet pothuajse e pandryshuar, e sidomos tani, kur disa janë përjashtuar nga Drejtësia, të skualifikuar nga të dyja shkallët e vettingut.

Në vijim të çështjeve të rëndësishme me të cilat KLGJ është përballuar menjëherë me krijimin e saj ishte edhe numri i lartë i kërkesave të ardhura nga kryetarët e gjykatave të cilat kërkonin delegim gjyqtarësh për plotësimin e trupave gjyqësore. Arsyet për të cilat kërkohej delegimi i gjyqtarëve ishte pamundësia për shqyrtimin e një apo disa çështjeve gjyqësore brenda afateve të arsyeshme kohore.

Caktimi i gjyqtarëve për plotësimin apo formimin e trupit gjykues për llogari të gjykatave në nevojë është e domosdoshme duke mbajtur parasysh situatën e gjykatave ku disa prej tyre kanë organikë të cunguar dhe nuk plotësojnë dot trupat gjykues, apo rastet kur gjyqtarët e gjykatës janë në kushtet e pamundësisë për gjykimin e një çështjeje gjyqësore (heqje dorë, pranimit të kërkesave për përjashtim, të vendimmarrjeve të mëparshme apo konfliktet e interesit).

Në këto kushte, bazuar në nenin 147 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë për të garantuar të drejtën e individëve për gjykimin e çështjes brenda afateve të arsyeshme, si një përgjegjësi për mbarëvajtjen dhe mirë administrimin e pushtetit gjyqësor, Këshilli filloi procesin e krijimit të skemës së delegimit si dhe të transferimit të përkohshëm të gjyqtarëve, që deri tani edhe për shkak të periudhës së pushimeve ka ecur me ritme të ngadalta.

Në total, gjatë vitit 2019 janë regjistruar 147 423 çështje dhe 68 982 janë mbartur nga 2018. Ndërkohë në fundin e vitit 2018, numri i çështjeve të mbartura është 75 803. Nga të dhënat konstatohet që Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Tiranë, ajo e Vlorës dhe Shkodrës, për sa i përket gjykatave të shkallës së parë, kanë fluksin më të madh të çështjeve.

Nga gjykatat e apelit fluksin kryesor të regjistrimit të çështjeve e ka Gjykata e Apelit e Tiranës dhe ajo e Vlorës. Ndërsa për sa i përket gjykatave administrative, vihet re që numri më i madh i çështjeve është riregjistruar sërish në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe atë të Apelit Administrativ./Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT