Shkon në 263 numri i viktimave, 4 të vdekur nga koronavirusi në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë njofton se katër pacientë kanë humbur betejën me COVID në 24 orë, duke e çuar kështu numrin e viktimave që nga fillimi i pandemisë në 263.
“Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen; një 55 vjeçare nga Tirana, një 62 vjeçar nga Lezha, një 63 vjeçar nga Librazhdi, një 85 vjeçar nga Elbasani, me sëmundje bashkëshoqëruese.”, bëri të ditur ministria e Shëndetësisë.
164 pacientë po trajtohen në spital
Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 164 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 14 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar. Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 39 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes. Përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me COVID19, në dy spitalet COVID po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse.