Presidenti ynë, e “do” shumë detin

Nga ARTUR AJAZI

Njëherë me grekët, njëherë kundër tyre, njëherë me amerikanët, njëherë kundër tyre, njëherë me sllavët, pastaj kundër tyre, njëherë me çamët pastaj kundër tyre, njëherë me PD, pastaj kundër saj, njëherë me PS, pastaj edhe kundër saj. Pastaj, njëherë me Kushtetutën, dhe “hop” e shkel atë.

Kjo është gjithë trajektorja e ish-kryetarit të LSI-së, sot kryetar i shtetit. Kjo është gjithë ecuria e tij në rrugëtimin si politikan përgjatë 30 viteve, edhe pse si i tillë, nuk  ka asnjë ditë shkollim special. Së  fundi  nga Drashovica, zoti  Meta i gjendur  atje për përvjetorin e një lufte vërtetë heroike, ka deklaruar se “do ti qëndroj besnik  vendimit të usesetueses, ndaj  ta kenë të qartë gjithë institucionet”.

Por, nuk do të ishte mirë që si kryetar shteti, ti drejtoheshe drejtpërsëdrejti  kryeministri  grek  zoti Meta, të kontestoje atë, dhe  jo  kryeministrin Rama ? Ndoshta  nuk  duhet “prishur” muhabeti me grekët ? Por  një kryetar shteti, që merr përsipër të mbrojë  deri në fund  vendimin e Kushtetueses,  nga “grabitja” e 12 miljeve detare, (mos harrojmë se detin e  fali Doktori  dhe Lulzimi) nuk merret  me deklarata  Drashovice, por bën përbetime konkrete duke drejtuar gishtin atje ku duhet.

Megjithatë, zoti Meta e do  detin, e ka dashur gjithmonë, dhe mendoj  se edhe kësaj here do të bëjë “namin” që të zbatojë vendimin e Kushtetueses. Ndoshta nuk  do të jetë nevoja  ta “mbrojë”  vendimin e Kushtetueses  duke dalë në protestë si në  2 Mars në mes të Tiranës, por një gjë do ta bëjë. Kjo  sepse zoti  Meta, nuk  rri  dot pa detin, pa aromën e tij, madje ka mësuar keq edhe ata të LRI-së, të cilëve u ngre kampingun në  Jalë çdo vit, atyre që janë e “ardhmja” e asaj  partie, për të marrë  jodin e Jugut.  Deklarata  e kryetarit  të shtetit, u bë nga Drashovica, fill pas postimit të kryeministrit  Rama mbi  këtë problem.

Zoti Meta, nuk mungon  ti japë “përgjigje” asnjëherë, veçanarisht   postimeve të kryeministrit  Rama, dhe kësaj here nga Vlora  ai  gjeti mundësinë  ti “kujtojë” qeverisjes  se “do të mbrojë  deri në fund  vendimin e Kushtetueses”.Por deti  zoti  Meta, nuk është vetëm Lalëzi apo Spilleja, pastaj në këtë mesele, mos harro, ke  brënda mikun tënd të veçantë, dhe rivalin  aktual për kryetar opozite. Janë  ata, që janë  ulur dhe kanë firmosur me zonjën Bakojanis, janë  ata që mund  ti akuzosh  sot, se me një marrëveshje të thjeshtë, kujtuan se “deti u bë kos” në Shqipëri.

Dhe  në fakt  deri sot, ashtu ka qenë,  sepse detin  kush nuk e ka marrë, kush nuk ka abuzuar me detin, me pasuritë  e tij, dhe askush nuk është kujtuar  si  ju, të “mbrojë Kushtetuesen”. Por këtu  duhet  thënë edhe një gjë zoti Meta, se kryeministri Rama kurrë nuk u është “strukur” grekëve  si “dikush”, por  ka qëndruar para  tyre si  i barabartë  dhe  dinjitoz, duke  bërë qysh në fillim transparencën e këtij problemi të trashëguar nga koha e Lulzim Bashës.  Duaje detin zoti Meta, duaje deri në fund, por  mos harro  të “duash” edhe ata  (miqtë e SHQUP-it) që dikur luajtën me detin, dhe që sot  të kanë nxjerrë  ty, të  betohesh për  të “mbrojtur  vendimin e Kushtetueses”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT