Lukashenko refuzon Ramën? Kryeministri: Nuk kemi marrë ende përgjigje për letrën

Kryeministri Edi Rama pasditen e sotme ka arritur në Vjenë për të marrë pjesë nesër në Këshillin Special të OSBE-së lidhur me krizën në Bjellorusi. Përpara mbledhjes së Këshillit Special, kreu i qeverisë shqiptare, në cilësinë e kreut të OSBE-së ka zhvilluar një takim me Stephen Biegun, zëvendës sekretar i shtetit SHBA-së. Por çfarë ka ndodhur pas ofertës së tij për të negociuar për krizën në Bjellorusi? Kryeministri Edi Rama u shpreh se ende nuk kanë marrë një përgjigje nga Presidenti Lukashenko, por nuk e kanë humbur durimin.
“Këtu bëhet fjalë për të krijuar një mundësi komunikimi mes dypalësh që po shkojnë në një konfrontim që mund të shkojnë me pasoja të mëdha për të gjitha palët. Nuk bëhet fjalë për punë individuale, por që lidhet me një organizatë të tërë dhe grup të tërë njerëzish. Unë mendoj se kjo është gjëja e duhur. Më vjen mirë që iniciativa jonë që ishte në një moment të vështirë shumë, por edhe pak kaotik mori kaq shumë vëmendje dhe tani mbështetje të plotë në të gjitha nivelet dhe nuk është refuzuar, por mbështetet në një rezervë të kuptueshme nga Rusia”.
Një përgjigje nga Lukashenko për letrën?
“Natyrisht që jo, se po të kishim një përgjigje do të kishim shkuar në Minsk, por në ndërkohë kjo është detyra e OSBE-së dhe kjo është puna e OSBE-së dhe durimi është pjesë e rëndësishme e kësaj pune. Nuk kemi kontakte me opozitën bjelloruse sepse kemi preferuar që të mbajmë një pozicion të barazlarguar nga të dyja palët. Arsyeja se përse i dërguam një letër presidentit të Bjellorusisë duhet një aprovim nga autoritetet” tha Rama për Top Channel.
Intervista për Top Channel
Për edicionin qendror të lajmeve në Top Channel, Muhamed Veliu zhvilloi një intervistë me kryeministrin Edi Rama.
Veliu: Ju gëzoni besimin e ndërkombëtarëve, nga BE, Merkel apo edhe SHBA, por duhet të marrë edhe një rol i Rusisë, sa mund të negociohet situata në Bjellorusi?
Rama: Nuk bëhet fjalë për të negociuar krizë, por për krijimin e një mundësie komunikimi mes palëve, që po shkojnë në një konfrontim me pasoja të mëdha me të gjitha palët. Nuk bëhet fjalë për një punë individuale, por me një punë që lidhet me një organizatë të tërë dhe me një grup të madh njerëzish. Unë mendoj që kjo është gjëja e duhur dhe më vjen mirë që iniciativa jonë që ishte në një moment të vështirë dhe kaotik, mori kaq shumë vëmendje dhe ka marrë mbështetje të plotë në të gjitha nivelet. Nuk është refuzuar por mbështet edhe me një rezervë nga Rusia.
Veliu: Keni dërguar një letër për Lukashenkon, keni marrë një përgjigje?
Rama: Nuk kemi përgjigje. Po të kishim do kishim shkuar në Minsk, por kjo është detyra e OSBE dhe puna. Durimi është pjesë e rëndësishme e kësaj detyre.
Veliu: A keni kontakte me opozitën në Bjellorusi?
Rama: Jo se kemi preferuar të mbajmë një pozicion krejtësisht të baraslarguar nga të dy palët. Arsye pse dërguam letrën është se për të shkuar në Minsk duhet një aprovim dhe nuk mund të shkohet pa të. Vetëm nëse bëjmë selfie në protestë. Dhe jo nuk është puna ime dhe detyra ime. Jemi për të lehtësuar komunikimi me kushtet e krijuara. Kjo i takon popullit dhe autoriteteve Bjelloruse. Të dy palëve dhe nuk i takon OSBE apo kushdo qoftë që të zgjidhje. Por Bjellorusia është anëtare dhe është instrumenti i duhur nëse pranojnë këtë ofertë.