Brukseli dështon, nuk ka konsensus mes Serbisë e Kosovës

Të enjten në Bruksel është zhvilluar takimi ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Pas përfundimit të tij, Kosova dhe Serbia konfirmuan se procesi ka shënuar regres, por të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën.

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, ka thënë se pala serbe është treguar jokonstruktive në bisedime. Sipas tij, Serbia bëri përpjekje që të rihap kapituj të caktuar të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për të cilat “kemi pasur dakordim në parim”.

Ai tha se si koordinator i dialogut, në Bruksel qëndron për të diskutuar për elemente të një marrëveshjeje të përgjithshme “për njohje reciproke”.

“Pra nuk bëhet fjalë as për të pagjeturit dhe ekonominë si marrëveshje të veçanta. Janë postulate parimore që do të jenë në marrëveshjen e përgjithshme, asgjë më shumë. Që të flas me gjuhë teknike, ato elemente do të zënë e shumta një faqe tekst në marrëveshjen e përgjithshme”, ka thënë Hyseni, transmeton rel.

Ndërkaq, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, i angazhuar në cilësinë e negociatorit me Kosovën, Marko Gjuriç, ka thënë se bisedimet e sotme në Bruksel ishin të vështira dhe të pakëndshme.

Sipas tij, deri te kjo situatë erdhi pasi që përfaqësuesit e Beogradit është dashur të ballafaqohen me pretendimet se nuk ka probleme të personave të zhvendosur brenda vendit dhe refugjatëve dhe mohimin e pretendimeve se ka 18,000 shtëpi dhe apartamente të uzurpuara në Kosovë.

Siç raporton B92, Gjuriqi ka thënë se sot në Bruksel, në kuadër të vazhdimit të dialogut në nivel ekspertësh, është biseduar për çështjet e të pagjeturve dhe të internuarve si dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Ai tha të jetë përmendur edhe çështja e shkatërrimit të zonave të mbrojtura te manastiri i Deçanit, si dhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Përmendëm edhe shkatërrimin e paradokohshëm te manastiri i Deçanit dhe të zonës së mbrojtur afër manastirit. Vumë theksin edhe në nevojën e zbatimit të Asociacionit të komunave serbe duke theksuar se në vitet e kaluara, që kur nuk është themeluar AKS-ja, populli serb ka qenë i privuar nga e drejta kolektive, politike, ekonomike dhe sociale, që ka çuar deri në migrimin e një pjese të popullit tonë në Serbinë qendrore dhe ka përkeqësuar qëndrimin e tyre në KeM”, tha Gjuriçi.

Sipas tij, bisedimet ishin të rënda.“Të pakëndshme në shumë aspekte sepse është dashur të ballafaqohemi me pretendimet e palës tjetër se nuk ka probleme me të pagjeturit e me të zhvendosurit brenda vendit dhe me refugjatë, me mohimin se në KeM janë 18 mijë shtëpi e banesa të uzurpuara, e cila përmendet edhe në raportet e OSBE-së e edhe me pretendimet se nuk ka asnjë person, se çdo person që ka dashur të kthehet në KeM deri më tani ka mundur këtë ta bëjë, por se serbët nuk janë kthyer sepse nuk kanë dashur”, deklaroi ai.

Gjuriqi thotë se delegacioni i Serbisë sot ka luftuar për interesat serbe, përmes zgjidhjes së problemeve dhe çështjeve jetësore të njerëzve të zakontë. “Kurse çështje jetësore e popullit tonë në KeM është që të mësohet fati i mbi 500 serbëve të zhdukur”, tha ai.

Ai tha se kjo s’mund të mësohet pa u hapur arkivat e UÇK-së. “Ne nuk duam që në shpejtësi të kalojmë nëpër këto tema dhe të lëshojmë ndonjë deklaratë politike në mënyrë që të themi se u morëm vesh për diçka, nëse nuk i kemi zgjidhur me të vërtetë problemet e njerëzve”, shtoi ai.

Sipas tij, Serbia s’dëshiron t’i fus gjërat nën rrogoz. “Ne duam zgjidhjen e problemeve të njerëzve në Kosovë e Metohi dhe për këtë arsye jemi këtu ne jemi të përkushtuar këtu për kohën tonë, energjinë, punën dhe ekspertizën e institucioneve të shtetit të Serbisë që qëndrojnë prapa delegacionit shtetëror të Serbisë këtu në Bruksel”, u shpreh Gjuriçi.

Ndërkaq, ai bëri të ditur se bisedimet teknike do të mbahen sërish para takimit në Washington mes kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Ai thotë të ketë propozuar sot në Bruksel që Kosova dhe Serbia të pajtohen mbi përmbajtjen e deklaratës së përfaqësuesve të të dyja palëve pas takimit, në mënyrë që të mos ketë dezinformata, por thotë se pala kosovare këtë propozim e ka refuzuar në mënyrë që të “vazhdojë ta mashtrojë opinionin”.

Ai ka vazhduar në deklaratën e tij për mediat serbe të akuzojë palën kosovare se po përhap “lajme të rreme” nga takimet në Bruksel./Zëri

Back to top button
LAJMET E FUNDIT