Marrëveshja e Detit: Kalvari i një “Kali Troje” që i kushton Shqipërisë mbi 354 milje detare

Është rikthyer më forcë çështja e marrëveshjes së Detit ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë pasi kryeministri helen, Kyriakos Micotaqis, deklaroi në Parlament se do të dërgojë një ligj, i cili do të vendosë apriori se Greqia zgjeron me 12 milje detare në anën Perëndimore të saj në kufi me Shqipërinë.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, ka bërë të ditur se do të udhëtojë në Tiranë këto ditë për të biseduar me kryeministrin Edi Rama që është edhe ministër i Jashtëm në detyrë për Paktin Detar.
Paraprakisht ndërmjet tyre pati një telefonatë, ku kanë folur në detaje për takimin e ardhshëm të kryediplomatit grek në Tiranë, ku parashikohet të realizohet në fillimin e muajit shtator.
Kjo rimarrje e kësaj çështje nga ana e kryeministrit grek, duket se bëhet për konsum të brendshëm politik, pasi Turqia e Erdogan ka sfiduar Athinën, duke dërguar në ujrat pranë Qipros anijen eksploruese Uruç Reis, për të kërkuar për burime natyrore-gaz dhe naftë.
Pas një përplasje më shumë se një mujore me Turqinë, ku janë nxjerrë në meidan edhe mjetet luftarake, madje ka pasur edhe një incident në detin Egje, Athina ka rihapur çështjen e marrëveshjen detare me Shqipërinë, duke trazuar shumë ndjenjat dhe riaktivizuar frikërat e shqiptarëve.
Çështja e asaj që Athina e quan Marrëveshje e Detit me Shqipërinë, është ngulitur në mendjen e shqiptarëve si një “Kalë Troje” nga Greqia, pas vitit 2009, kur qeveria e kryeministrit Kostas Karamanlis, që shefe diplomacie kishte motrën e kryeministrit aktual, Dora Bakojanis, arritën një marrëveshje me Tiranën, që nga zonja Bakojanis u cilësua si një “Master of Arts”.
Çfarë ndodhi?
Greqia në vitin 2009, përkatësisht në janarin e atij viti mori presidencën e OSBE-së, e cila u shfrytëzua sidomos për të zgjidhur problemet me vendet e Ballkanit, ndërmori një ofensivë diplomatike me Shqipërinë.
Ministrja e atëhershme e Jashtme Bakojanis erdhi në Tiranë disa herë, e i bëri Tiranës zyrtare tre kërkesa të forta: Ngritjen e varrezave të ushtarëve greke në Shqipëri të rënë në kohën e Luftës së Dytë Botërore, Marrëveshjen e Detit dhe shtetësinë shqiptare për Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Anastasios Janullatos.
Në lidhje me shtetësinë, Bamir Topi, atëherë president, i kërkoi Bakojanisit që të kërkonte konsensusin politik të kreut të PD-së dhe PS-së, pra Berishës dhe Ramës, që ata të bënin propozimin dhe ai do ta firmoste. Bakojanis nuk e mori, madje nuk e ngriti këtë çështje, pasi në mendje kishte një tjetër çështje më të madhe.
Për varrezat, grekët kërkuan 4 të tilla dhe Tirana i dha vetëm 2, e kjo shikohet edhe në Kabllogramin e Ambasadës Amerikane të Tiranës që i ka dërguar Departamentit të Shtetit.
Në këto kabllograme thuhet hapur se ambasadori grek i ka kërkuar qeverisë shqiptare se nëse nuk miraton varrezat atëherë Parlamenti grek nuk do ta ratifikonte Marrëveshjen e Asocim Stabilizimit mes Shqipërisë dhe BE, çka ishte shumë e rëndësishme për qeverinë shqiptare.
Diplomacia ka një rregull: Kërko maksimumin për të marrë optimumin. Në fund, qeveria shqiptare e Sali Berishës, që ishte para zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, vendosi që t’i bëjë një koncension Athinës, pra për Marrëveshjen e Detit. Ishte më pak e prekshmja në publik, ndryshe me varrezat dhe shtetësinë e kryepeshkopit Janullatos.
Marrëveshja është negocuar në fshehtësi të plotë nga zyrtarë të Ministrisë së Jashtme Shqiptare dhe asaj greke deri sa arriti në një draft final. Pakti u firmos nga dy ministrat e Jashtëm të kohës: Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis në prillin e vitit 2009.
Ky pakt detar, ishte i pari i firmosur nga Greqia me fqinjët e saj që i ndante deti: Italinë, Turqinë, Egjiptin, Libinë etj. Nuk kishte pasur asnjëherë një interes për këtë çështje, sidomos me Shqipërinë, ndaj së cilës Greqia ka ende në fuqi një dekret mbretëror që mban gjendjen e luftës mes dy vendeve. Athina dhe Tirana, nuk kanë përcaktuar ekzaktësisht në marrëveshje edhe pse kanë firmosur një Pakt Miqësie në vitin 1992, një kufi tokësor të rregulluar.
Ky interes erdhi pikërisht nga disa kërkime që kompani të mëdha botërore bënë në Jon e parashikuan se në këtë territor ka rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi. Kjo solli një interes të madh për Jonin, që e shfaqën jo vetëm Greqia e Shqipëria, por edhe Fuqitë e Mëdha.
Megjithatë, të parat që ishin të interesuara që Athina dhe Tirana të mos kryenin një pakt të tillë pa një diskutim multilateral ishte Turqia dhe Italia, të cilat nëse do të firmosej pakti mes Greqisë dhe Shqipërisë hapin precedentin e vet. Greqia është një shtet më shumë detar ku ka një hapësirë të madhe në ishuj, e si e tillë mund të përfitonte nga kjo hapësirë detare.
E këtë si Roma, si Ankaraja e shikonte si kërcënim. Ndërkohë Partia Socialiste e Edi Ramës, në shtatorin e vitit 2009, e dërgon Marrëveshjen e Detit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë në Gjykatën Kushtetutese, duke e cilësuar se ka shkelur ligjin themeltar të shtetit.
Paralelisht me këtë akt ligjor, mediat në Tiranë, por edhe historianë e ekspertë të marinës e cilësuan marrëveshjen si “tradhti kombëtare”. Në këto takime spikatën Myslym Pashaj, një hartograf ushtarak dhe historiani Pëllumb Xhufi që sollën argumente që marëveshja me Athinën dëmtonte Shqipërinë.
Ndërkaq, ambasada Amerikane në Tiranë, siç u bë e ditur edhe nga dokumentet e siguruara nga Wilikeaks, kishte dërguar kabllograme në Uashington, ku bëhej e ditur se Athina i kishte kërkuar Tiranës që të shmangte SHBA nga ndërmjetësimi për këtë çështje.
Steven Kristina, numri dy i ambasadës amerikane në Tiranë, shkruan në një kabllogram dërguar Departamentit të Shtetit:
“Gjatë një takimi të ndodhur përpara pak kohësh, zyrtarët grekë i dhanë homologëve shqiptarë një ultimatum. Qeveria greke është gati të bëj kompromis për bregdetin pranë Korfuzit (aty raportohet se ka një interes ushtarak amerikan që të ndërtohet një bazë ushtarake në Jalë, jugu i Shqipërisë). Gjithsesi zyrtarët grekë paralajmëruan delegacionin shqiptar që të vazhdojë me kërkesat e tij dhe të mos përfshijë “fuqitë e huaja”, duke përmendur SHBA-në, në negociata. Një frazë e tillë identike është përdorur edhe në Tiranë gjatë një takimi të ambasadorit grek me ministrin e Jashtëm, Basha”.
Pra bëhet fjalë për një zonë ku SHBA kishte interes më shumë se strategjik; ushtarak dhe në këtë rast Uashingtoni nuk i ka kërkuar Tiranës që të firmosë marrëveshjen. Madje sipas dokumenteve, Tirana e ka shmangur SHBA-në.
Më 15 prill të vitit 2010, Gjykata Kushtetuese, duke shqyrtuar kërkesën e PS-së, ku përfaqësues ishin: Saimir Tahiri, Damian Gjiknuri dhe Myslym Pashai vendosi që të rrëzojë marrëveshjen mes qeverisë Shqiptare dhe asaj të Greqisë.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e rrëzoi për dy arsye e para, kjo marrëveshje nuk kishte marrë pëlqimin për negocim të Presidentit të Republikës dhe e dyta kishte prekur thelb të territorit kombëtar shqiptar.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, “Shqipëria humbiste një sipërfaqe prej gati 354 miljesh katrorë sipërfaqe detare”. Nëntë anëtarët e kësaj gjykate votuan për rrëzimin e këtij pakti. Përfundimisht kjo çështje u arkivua dhe nuk u përdor asnjë ditë pas vendimit të Kushtetueses.
Partia Demokratike me Sali Berishën kryetar fitoi mandatin e dytë qeverisës në qershorin 2009, por rrëzimi marrëveshjes të detit me Greqinë i dha një minus të fortë që u shfrytëzua nga opozita socialiste që e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Në vitin 2013, Edi Rama erdhi në pushtet dhe ndërkohë në Athinë kishte ardhur një qeveri tjetër; ajo e Alexis Tsipras, një kryeministër i majtë që kishte një koalicion qeveritar me një parti të djathtë nacionaliste.
E në këtë klimë të re Edi Rama autorizoi ministrin e tij të Jashtëm, Ditmir Bushati që të niste bisedimet me Athinën edhe për Detin, por pa hyrë në negociata. Bushati, në fakt, në këto bisedime i dha Athinës një prioritet moral e politik, sikur pala humbëse nuk ishte Athina, por Tirana. Nuk harrohen dy momente të rëndësishme, kur ministri i Jashtëm grek e quajti Bushatin me emrin “Dhimitër”, nuk dihet pse, ndoshta duke i kujtuar një kartë identiteti të shumëpërfolur, por edhe dy raste të tjera; Bushati në Kretë kërceu Zorban me Kotzias pas një serie bisedimesh, kurse në një takim me studentët në Tiranë, insistoi se afërsia e tij ndaj grekëve nuk është e vogël, pasi edhe vajzës i kishte vënë një emër helen.
Por, në këto negociata nuk doli asgjë në sipërfaqe, edhe pse qeveria e Micotakisit bën të ditur se ka gjetur në Ministrinë e Jashtme, si pjesë e diskutimeve me Tiranën çështjen e zgjerimit të 12 miljeve detare.
Çfarë realisht ka biseduar Bushati, edhe në emër të kujt, edhe pse duket se këto diskutime shënuan edhe fundin e tij politik në krye të diplomacisë, pavarësisht se u mveshën me ngjyra nacionaliste. Vetë Kotzias, e cilësoi largimin e Bushatit një “humbje për marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë”.
Në fakt problemi është se kurrë Tirana dhe Athina nuk kanë folur për thelbin e problemit, Zonën Ekonomike Ekskluzive të Shqipërisë e Greqisë, pra vendin ku palët mund të kërkojnë për naftë dhe gaz. Dhe këtë e bën të ditur vetë një zyrtar i lartë i MPJ-së greke.
Janis Valinakis, njeriu që hartoi strategjinë e marrëveshjes për paktin detar me Shqipërinë tha në një intervistë për seksionin grek të CNN se Athina toleroi Tiranën zyrtare të anulonte marrëveshjen e firmosur të vitit 2009.
“Mungesa e interesit nga ana jonë për përcaktimin e Zonave Eksluzive Ekonomike pas vitit 2009 mbetet e pashpjegueshme. Në mënyrë të gabuar u vu theksi te shpallja dhe jo te përcaktimi i tyre. Ne kemi lejuar që Shqipëria, një vend që kërkon mbështetjen tonë për t’iu afruar drejt BE-së, të anulojë me procedura të brendshëm marrëveshjen e shkëlqyer për zonat tona detare të nënshkruar nga Karamanlis dhe Berisha në 2009. Shumë kemi dëgjuar gjatë gjithë këtyre viteve , por siç ndodh shpesh, kemi mbetur në teori”, tha ai.
Marrëveshja e vitit 2009 është rrëzuar tashmë, por ka pasur mjaft zëra që e kanë cilësuar atë si të mirë, madje zëra të rëndësishëm në PD e kanë akuzuar Edi Ramën se ka punuar në favor “të palëve të treta” duke nënkuptuar Turqinë e Erdoganit.
Tritan Shehu, ish-ministër i Jashtëm i PD-së dhe ish-kryetar i kësaj force politike edhe pse simbolik, deklaroi në Top Channel në vitin 2018 se “Marrëveshja e detit është një element i një marrëveshjeje më të madhe, që mbylli një kapitull dhe hapi një kapitull të ri me Greqinë. Në atë periudhë, marrëveshja u anatemua për interesa politike. U anatemua nga Rilindja edhe mundet për interes të palëve të treta”.
Sipas tij, ajo marrëveshje “do të forconte pozicionin tonë dhe do të kalonim pastaj në rregullimin edhe të kufijve tokësorë me Greqinë”. Por në këtë rast SHBA nuk e ka përkrahur këtë marrëveshje.
Ja ç’thotë një kabllogram i ambasadës së SHBA në Tiranë i bërë publik nga Wikileaks:
“Qeveria greke po i bën presion qeverisë shqiptare që të pranojë kërkesat e saj për negociata dypalëshe për të bërë delimitimin e kufirit detar. Athina po kërcënon se do të refuzojë ratifikimin e MSA-së së Shqipërisë me BE-në për shkak të një çështje të debatueshme për ngritjen e varrezave greke në Shqipëri, të cilën qeveria shqiptare e sheh si një përsëritje që Greqia i bëri Maqedonisë që aspironte për në NATO. Bisedimet për varrezat vazhdojnë ende dhe raundi i fundit i negociatave u mbyll pa sukses.
Sipas Ledia Hysit, Drejtoreshë e Çështjeve Ligjore dhe Marrëveshjeve në MPJ, qeveritë greke e shqiptare po negociojnë prej muajsh për të caktuar kufijtë detarë. Negociatat po hasin probleme të mëdha për shkak të atyre që ajo i përshkruan si “standarde të dyfishta të grekëve”, të cilët përdorin metoda të ndryshme për pjesë të ndryshme të bregut, ndërsa Shqipëria përdor një standard bazë për caktimin e kufijve. Ky standard bazohet në konventat ndërkombëtare. Me pak fjalë, Shqipëria akuzon Greqinë se po zgjedh pjesët më të mira duke përdorur metoda të ndryshme për caktimin e pikave kufitare.
Gjatë një takimi të ndodhur përpara pak kohësh, zyrtarët grekë i dhanë homologëve shqiptarë një ultimatum. Qeveria greke është gati të bëj kompromis për bregdetin pranë Korfuzit (aty raportohet se ka një interes ushtarak amerikan që të ndërtohet një bazë ushtarake në Jalë, jugu i Shqipërisë). Gjithsesi zyrtarët grekë paralajmëruan delegacionin shqiptar që të vazhdojë me kërkesat e tij dhe të mos përfshijë “fuqitë e huaja”, duke përmendur SHBA-në, në negociata. Një frazë e tillë identike është përdorur edhe në Tiranë gjatë një takimi të ambasadorit grek me ministrin e Jashtëm Basha.
Një tjetër çështje e diskutueshme mes Athinës dhe Tiranës është kërkesa greke për të ndërtuar katër varreza në jug dhe lindje të Shqipërisë për të përkujtuar ushtarët grekë që vdiqën në Shqipëri gjatë përplasjes me forcat italiane në 1920. Qeveria shqiptare ka kundërshtuar propozimet greke pasi ato synojnë ngritjen e va5rrezave ushtarake në tokën shqiptare bazuar në ndarje fetare dhe etnike. Ajo është kundërshtuar edhe për faktin se i jep krahë pretendimeve historike të Greqisë se zotëron tokë në jug të Shqipërisë. Edhe pse qeveria shqiptare ka kërkuar disa herë ngritjen e një komisioni të pavarur ekspertësh që të zgjidhin këtë problem, Athina ka mbajtur një qëndrimit të tipit: Merre ose lëre!.
Më 30 shtator, negociatorët shqiptarë dhe grekë u takuan sërish në Tiranë po dështuan në gjetjen e një marrëveshjeje për varrezat. Sipas kreut të delegacionit shqiptar, Islam Laukës, Shqipëria refuzoi një propozim të Greqisë për katër varreza duke i ofruar në vend të tyre një varrezë në Tiranë. (Shënimi i ambasadës: Eshtrat e britanikëve, gjermanëve dhe pjesës më të madhe të trupave të huaja të vrarë në Shqipëri janë mbledhur dhe varrosur në Tiranë. Eshtrat e ushtarëve italianë janë mbledhur dhe dërguar në Itali. Asnjë trup i huaj nuk është varrosur në “fushën e betejës” në Shqipëri, ashtu siç kërkon qeveria greke. Fundi i shënimit të Ambasadës).
Sipas Laukës, pasi refuzimit të parë, Shqipëria ra dakord për një varrezë greke në jug të vendit, një ofertë të cilën Lauka e vlerësoi si lëshim të madh pasi të gjitha varrezat e tjera të trupave të huaja ndodhen në Tiranë. Grekët bënë një kundër-ofertë për dy varreza në jug dhe opsionin për një të tretë më pas. Qeveria shqiptare e refuzoi këtë propozim dhe bisedimet u mbyllën pa rezultat…
Gjatë një raundi të mëparshëm negociatash për varrezat, pasi dha mesazhin që të mbante Uashingtonin jashtë, grekët i dhanë shqiptarëve një ultimatum të dytë, edhe më të fortë se i pari. Teksa Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të Shqipërisë është firmosur nga 22 vende të BE-së, Greqia ndodhet mes tre vendeve të fundit që deri tani nuk e kanë bërë këtë gjë.
Ambasadori grek i tha Bashës së nëse qeveria shqiptare nuk bie dakord me termat e Athinës në lidhje me varrezat ushtarake, parlamenti grek nuk do ta ratifikojë asnjë herë MSA-në. Ai i tha se nëse bien dakord për varrezat, atëherë marrëveshja do ratifikohet.
Në çështjen e kufirit detar, pavarësisht faktit që negociatorët grekë kanë bërë kërkesa në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, Athina ka thënë se ndarja do të bëhet sipas kushteve të saj, ose nuk do të bëhet fare. Hysi tha se pozicioni grek ishte një kërcënim serioz për planet e zhvillimit afatgjatë të bregdetit të jugut të Shqipërisë dhe do të ishin një pengesë për turizmin, transportin, peshkimin, naftën nën det dhe gazin. Madje ato mund të sjellin edhe incidente territoriale me Greqinë.
Duke pasur në kujtesë rastin e freskët kur Athina vendosi veton për hyrjen e Maqedonisë në NATO, qeveria shqiptare mendon se pozicioni i Greqisë në çështjen e paktit detar dhe varrezave është një kërcënim serioz për sovranitetin dhe interesat e Shqipërisë.
Në këtë pikë, qeveria shqiptare nuk ka kërkuar për ndihmën e SHBA-së ose për ndërhyrje ndaj Greqisë duke preferuar që ta zgjidhë këtë çështje vetë”.
Po sot, Edi Rama çfarë do të bëjë, pasi ka një përvojë më të madhe me këtë çështje, të cilën edhe SHBA duket se nuk e ka përkrahur?!
©Copyright Gazeta Shqip