“O njerëz, mos u merrni me kodra pas bregut! Procesi për detin duhet të dalë urgjentisht nga hullitë e thashethemeve dhe politikës banale”
Kjo intervistë ekskluzive me ish-ministrin e jashtëm Paskal Milo fokusohet tërësisht lidhur me debatin e ditëve të fundit për paktin e ri detar me Greqinë. Si e konsideron ish-kryediplomati rihapjen e debatit dhe çfarë ofron për zgjidhjen e problemit që i mundon prej vitesh dy komshinj më të vjetër të Ballkanit.
Çfarë nënkupton zoti Milo kur thotë se: Zotërinjtë Basha e Berisha në këtë rast, qoftë edhe Rama në raste të tjera nuk janë modele të besueshme të tranparencës në kuptimin semantik të fjalës apo edhe moral të saj. Mali i paragjykimeve që ende ekziston për Greqinë dhe çfarë do t’i këshilloja qeverisë Rama në këtë rast.
Pser diplomati i njohur bën apelin: O njerëz! Dëgjoni të paktën specialistët e mirëfilltë!
Intervistoi Xhevdet Shehu
– Profesor Milo, është rihapur një debat i nxehtë këto ditë për çështjen tejet të mprehtë të përcaktimit të kufirit detar me Greqinë. Historinë e këtij debati ju e dini shumë mirë, sikurse e dinë të gjithë shqiptarët. Sa oportun ishte hapja e këtij debati momentalisht?
– E çuditshme por jo e pazakontë historia e këtij debati për të cilin po më pyesni. Mbase nuk ia vlente të merreshim me këtë çështje, por meqë mediat ziejnë dhe ju si gazetë DITA jeni të interesuar, po ju përgjigjem. Në Shqipëri temperaturat e larta natyrore të muajit gusht gjithnjë shoqërohen edhe me ngritjen e temperaturave politike. Është në njëfarë mënyre një parapërgatitje për sezonin e ri politik që do të fillojë në shtator dhe që parashikohet që të jetë (si zakonisht, në mos më tepër) tepër i nxehtë për disa arsye që janë të njohura e mbi të gjitha që do të përfundojë me zgjedhjet parlamentare në pranverën që vjen.
Kësaj atmosfere që po ndizet këto dite iu shtua edhe një përbërës zjarrvënës tepër i fuqishëm që sensibilizon shume siç është diskutimi maratonë shumëvjeçar i marrëveshjes me Greqinë për delimitimin e kufirit detar. Shqetësimi për përfundimin e kësaj marrëveshjeje është i drejtë, por është në disproporcion me thelbin e vetë çështjes.
Është kthyer në një sport “kombëtar”, ku të ditur e të paditur, sidomos “ekspertë” të rrjeteve sociale të mobilizuar nga politika opozitare e gjithfarë lloj opozitarësh të çartur të seriozitetit që duhet të ketë një shtet, paralajmërojnë “tradhtinë” e radhës të kësaj qeverie që kemi.
O njerëz! Dëgjoni të paktën specialistët e mirëfilltë që janë shprehur deri tani, të majtë e të djathtë, që e njohin çështjen dhe që nuk flasin kodra pas bregut. Unë, këtë herë dua të besoj kryeministrin kur thotë se nuk ka marrëveshje të përfunduar, se negociatat u ndërprenë me dorëheqjen e ish ministrit të jashtëm grek, Kocias dhe për shkak të rënies së qeverisë së mëparshme greke.
Ka proces verbale bisedimesh të grupeve negociatore që dëshmojnë deri ku shkuan diskutimet, ka propozime te dyanshme që shërbejnë si bazë për diskutime apo edhe projekt marrëveshje, por nuk ka marrëveshje.
– Dakord, Profesor, kur thoni se ende nuk ka një marrëveshje dypalëshe me Greqinë. Por, si i konsideroni akuzat e Berishës dhe Bashës se Rama nuk është transparent për marrëveshjen me grekët, duke lënë të nënkuptohet se është Rama që po shet detin?
– I kam dëgjuar dhe lexuar me vëmendje akuzat dhe kundërakuzat që bëhen për këtë çështje. Unë po ju përgjigjem me përgjegjësi se rinisja e negociatave nuk është sekret. Ajo nuk mund të fshihet dhe patjetër që bëhet publike sepse për të dy vendet është në interes kombëtar.
Deklaratat zyrtare duhen lexuar me vëmendje dhe duhen vendosur në kontekstin aktual të zhvillimeve në rajon e më gjerë. Unë e kuptoj opozitën në rolin e saj, por ka disa çështje mes të cilave edhe marrëveshja për kufirin detar me Greqinë që nuk duhet të keqpërdoret për tregun politik të ditës apo për atë elektoral pas disa muajsh.
Transparenca ose tejdukshmëria e një procesi apo ngjarjeje ka vite që ka hyrë në fjalorin politik e në jetën politike shqiptare. Por qoftë zotërinjtë Basha e Berisha në këtë rast, qofte edhe Rama në raste të tjera nuk janë modele të besueshme të tranparencës në kuptimin semantik të fjalës apo edhe moral të saj.
– Në këtë situatë që ndodhemi, çfarë këshilloni?
– Ju them shkurta dhe qartë: Procesi ka nevojë urgjente që të largohet nga hullia e shpifjeve, thashethemeve dhe e akuzave. Për të shmangur këto shkëmbime replikash me fjalorë banalë që nuk ndodhin vetëm në këtë rast, është nevojë urgjente një konsensus politik e kombëtar mes aktorëve dhe institucioneve shtetërore për përpunimin e një platforme strategjike gjithëpërfshirëse. Dikush me të drejte mund të thotë se një platforme e tillë ekziston dhe është Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2010.
Padyshim qe ajo është baza. Por edhe ajo ka nevojë të zbërthehet e të bëhet një dokument operativ në ndihme të diskutimit dhe jo të shihet si një reference tabu. Ajo çfarë unë do t’i propozoja qeverisë Rama për t’u dhënë përgjigje akuzave që i bëhen dhe në mënyrë të veçantë për të garantuar një transparencë reale dhe një ekspertizë maksimale, është krijimi i një grupi negociator të ri e gjithëpërfshirës me ekspertë jo vetëm nëpunës te saj por autoritete te mirëfillta akademike e profesionale me integritet qe e thonë fjalën me kompetence dhe e mbrojnë atë para çdo lloj shpifjeje që behet nga lukunia politike dhe ajo e rrjeteve sociale.
Kur nuk ka gjë për të fshehur, nuk ka as edhe arsye për të mos pranuar në ekipin negociator ekspertë të mirënjohur edhe nga opozita për një çështje që u takon gjithë shqiptarëve dhe një marrëveshjeje të drejtë me vendin fqinj.
– Profesor, si e parashikoni mbylljen e kësaj historie, apo keni parasysh kalendat greke?
– Me përjashtim të një grupi të kufizuar njerëzish, shumica e shqiptarëve nuk e njohin të drejtën ndërkombëtare të detit dhe korpusin e saj. Në mënyrë të veçantë Konventën e Montego Bay-it të vitit 1982. Është e nevojshme që ju si gazetë, dhe jo vetëm ju, të mobilizoni ekspertët që me gjuhë të thjeshtë ta shpjegojnë këtë Konventë dhe sidomos koncepte të tilla bazë si det territorial, vija bazë e llogaritjes së shtrirjes së tij zona ekskluzive ekonomike apo shelfi kontinental. Nëse shqiptarët do të mesojnë kuptimin e këtyre koncepteve dhe si janë aplikuar ato në vende të tjera, atëherë do të refuzojnë do bëhen pjesë edhe të fushatave mashtruese e ordinere që shpërthejnë herë pas here për këtë temë.
Pyetja juaj nuk mund të ketë një përgjigje të shkurtër. Do të duhet një analizë që mund të behet njëherë tjetër. Për fat të keq, edhe kur ka patur një vullnet të mirë politik nga qeveritë e të dy vendeve, ato nuk kanë mundur të kapërcejnë malin e paragjykimeve që ende ekziston. Kjo jo vetëm për marrëveshjen e delimitimit të kufirit detar. Edhe për disa çështje të tjera. Për mua, pa qenë skeptik, them se do të duhet kohë. Nuk dua të bej Kasandrën por as edhe uroj që të bëhet realitet shprehja proverbiale që ju përmendet. Kemi qenë fqinjë historikë, jemi e do të jemi të tillë edhe në të ardhmen. Ndaj nuk ka arsye më të madhe se kjo për t’u marrë vesh sa më shpejt që të jetë e mundur.
——-
Botuar në DITA.