Kurthi i vjeshtës/ Operacion sekret për të papunët, por me makina 200 mijë euro

Në tetorin e vitit 2019 për herë të parë kryeministri Rama foli për të fortët dhe një strategji që ishte ende e papërfunduar e Ministrisë së Brendshme për të goditur ata që bënin xhiro me makina të shtrenjta jo vetëm në zonën e ish-bllokut, por edhe të tjera.
Fill pas kësaj deklarate u përpilua edhe ajo që më vonë do të cilësohet si “kap ç’a t’kapësh”, e konkluduar me paketën “Forca e Ligjit”. Por, që prej asaj kohe, më shumë se të fortët me makina të shtrenjta, struktura OFL është marrë me pasurinë e emrave të dënuar dhe të akuzuar për krime dhe që pasuria e tyre është e pajustifikuar.
Ndërsa së fundmi, burime bëjnë me dije se Policia e Shtetit po përgatit një tjetër operacion. Eshtë menduar si një kurth në stinën e vjeshtës për goditjen e të gjithë atyre që bredhin me makina të shtrenjta, por në fakt janë thjesht ca të papunë.
Veprimet verifikuese kanë nisur nga krimi ekonomik dhe njësia e anti-trafiqeve. Agjentët e këtyre strukturave policore do të kalojnë në filtër të gjithë shoferët me mjete luksoze, të cilët janë proceduar për shkelje të shumta në rrugë, e nga ana tjetër rezultojnë të papunë, të paregjistruar pranë tatimeve apo sigurimeve shoqërore në vend.
Burimet policore sqarojnë se vetëm përgjatë javës që shkoi katër mjete janë bllokuar nga hetimi i krimit ekonomik dhe njësia e trafiqeve pasi kanë rezultuar të vjedhura në Europë, ndërsa pas verifikimeve pronarët do ti nënshtrohen imtësisht edhe një kontrolli nga operacioni forca e ligjit OFL.
Pjesë e këtij operacioni janë ato mjete të cilat deri më tani edhe pse të gjobitura disa herë vazhdojnë e përdorin rrugët si pista garash apo janë përfshirë në veprime që kanë rrezikuar jetën e të tjerëve, përfshi parakalimet e gabuar me shpejtësi, driftin apo ndriçimet verbuese e zhurmat. Kjo ndodh shpesh në rrugën Sauk-Teg, e ku policia në jo pak raste ka bllokuar dhe gjobitur shumë drejtues makinash.
Ndër mjetet e bllokuara deri më tani thuhet se vlera arrin deri në 200 mijë euro, ndërsa pronarët-shoferë janë thjesht disa të rinj të papunë. As emigrantë të rregullt nuk figurojnë, pasi pas verifikimeve në sistemin TIMS rezultojnë më shumë prezent në Shqipëri, sesa jashtë.
Ky operacion sqaruan hetuesit është shtrirë në të gjithë vendin dhe pjesë e verifikimit do të jetë, pronari, përdoruesi, punësimi i tij, të ardhurat, numri shasisë së mjetit, dokumentet dhe origjina e krijimit të parave.
Edhe pse jo zyrtarisht në territorin shqiptarë mjetet luksoze përgjatë sezonit të verës arrin mbi 5000 në qarkullim kryesisht emigrantë të përshirë në narkotrafik apo aktivitete të paligjshme jashtë vendit.
Gazeta Shqip