Ballkani po plaket…

Ajo që ishte dikur pika e fortë e Evropës Jug-Lindore, demografia, është kthyer në kërcënimin më të madh të rajonit për prosperitet.⁠ Problemet e shumta të rajonit po i shtyjnë të rinjtë, njerëzit e talentuar të largohen në masë drejt Europës Perëndimore, duke bërë që të gjitha vendet e rajonit të vuajnë nga “ikja e trurit”.

⁠Në parashikimet aktuale Bullgaria do të ketë 39% më pak njerëz deri në vitin 2050 sesa kishte në vitin 1990. Rajoni ka disa nga nivelet më të ulëta të pjellorisë në botë. Gratë boshnjake kanë mesatarisht 1.3 fëmijë dhe ato kroate 1.4.⁠ Ekspertët thonë se kombinimi i emigracionit dhe pjellorisë së ulët parashtron një të ardhme të zymtë për rajonin.

Në një studim të botuar kohët e fundit nga Gallup për ikjen e trurit, vendet e Ballkanit Perëndimor renditen të parat në Europë. Studimi, i cili u zhvillua mes viteve 2015 dhe 2019, përfshin gjysmë milion qytetarë nga 152 shtete. Ai tregon se 42% e qytetarëve të Kosovës dëshirojnë të largohen nga vendi, duke e renditur Prishtinën të parën në Europë dhe të tretën në botë. Në Shqipëri dhe Bosnje dhe Herzegovinë 32% qytetarë duan po ashtu të largohen nga vendi për një jetë më të mirë. Kjo renditje ndiqet nga Maqedonia me 30% dhe Serbia me 25%. Çuditërisht, Mali i Zi ka një rezultat disi më “pozitiv”, me 25% të të rinjve të arsimuar që duan të largohen nga vendi. Ekspertët shprehen se ky fenomen është përhapur edhe më shumë për shkak të lehtësirave të krijuara nga Gjermania dhe se në vitin e ardhshëm ka të ngjarë të rezultojë me largimin e më shumë të rinjve nga rajoni.

Sipas tyre, ky problem po bëhet gjithnjë e më shqetësues në Ballkan dhe është tanimë pjesë e agjendës e tubimeve të shumta të politikanëve. Anëtarësimi në BE ka të ngjarë ta përkeqësojë këtë plagë sociale, pasi heqja e barrierave kufitare ndaj Ballkanit, mund të çojë drejt vërshimit të popullsisë drejt vendeve të zhvilluara europiane.

Ndonëse të rinjtë shqiptarë, maqedonas apo serbë duket se po emigrojnë drejt vendeve të tjera për shkak të papunësisë, pagave të ulëta ose korrupsionit, Andan Ćerimagić, analist i njohur i politikave dhe problemeve të Ballkanit Perëndimor thekson se ka një sërë arsyesh të tjera.

“Ajo që është e rëndësishme të theksohet kur flasim për emigracionin në Ballkanin Perëndimor është fakti se ai është i ligjshëm. Në vitet 1990, nga Ballkan kishte refugjatë dhe azilkërkues, por sot njerëzit po largohen për të studiuar, për të punuar apo për t’u bashkuar me familjet e tyre “, thotë Ćerimagić.

Alida Vraçiq një tjetër eksperte e njohur e rajonit, ngre të njëjtin shqetësim. “Njerëzit po largohen për shkak të faktorëve ekonomikë ose pamundësisë për të gjetur një punë. Largimi i trurit nxitet nga pakënaqësia dhe zhgënjimi dhe ndjesia se ndryshimet politike po ndodhin ngadalë ose nuk po ndodhin fare,” thotë ajo.

Vraçiq mendon se një pjesë e njerëzve që zgjedhin të largohen janë të kënaqur profesionalisht, por nuk mund ta durojnë shtypjen e lirisë dhe të drejtave të tyre. “Ata thjesht nuk duan të jetojnë në një mjedis që i mbyt, prandaj nuk është çudi që lënë vendet e tyre për shtete ku nuk do të mund të punojnë në profesionin e tyre, por të paktën do të jenë të lirë”, shton ajo.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT