Jo vetëm pasuria/ Disa prokurorë u shkarkuan nga vettingu se nuk zbatuan urdhrin e Adriatik Llallës

Shkarkimet e prokurorëve nga shkallët e vettingut kanë pasur për emërues mos justifikimin e pasurisë. Në pak raste pastërtinë e figurës, në raste sa gishtat e njërës dorë për profesionalizëm. Kjo ka qenë ajo e deklaruar zyrtarisht, por në raportet specifike për secilin subjekt të vettingut ka edhe një tjetër shkelje, që është kaluar pa ndonjë rëndësi të veçantë.
Sipas burimeve bëhet fjalë për afro 7 prokurorë të shkarkuar edhe për shkeljen e nenit 9 të një urdhri të kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ky nen është një prej 23 neneve që përmban Kodi i Sjelljes dhe Etikës, i firmosur që në qershorin e vitit 2014.
Me synim, normimin e rregullave mbi etikën dhe sjelljen e prokurorëve, për të siguruar dhe garantuar profesionalizëm, pavarësi, paanshmëri, ndershmëri, integritet dhe për të parandaluar dhe ndëshkuar çdo veprim e sjellje korruptive të tyre, Llalla firmosi dhe urdhëroi zbatimin e rregullores.
Në nenin 9 të kësaj rregulloreje shkruhet për ruajtjen e sekretit profesional. Ky nen ka 3 pika, që rezultojnë se janë shkelur nga 7 prokurorë të shkarkuar tashmë nga vettingu. Përveç pasurisë së pajustifikuar, lidhjeve me persona me një të kaluar kriminale, ata u ndëshkuan edhe për ruajtjen e sekretit profesional.
Sipas nenit 9, prokurorët janë urdhëruar për ruajtjen e sekretit hetimor, duke iu ndaluar përdorimin e informacioneve sekrete apo konfidenciale që disponojnë për shkak të detyrës, për interesin personal, apo të personave të tjerë, përveçse kur ligji parashikon ndryshe.
Ndërsa në pikën dy thuhet se u ndalohet prokurorëve të mos u jepnin të tjerëve ose të mos merrnin prej kolegëve informacione ne lidhje me një hetim dhe pika e fundit të tregonin diskrecion maksimal në administrimin e informacionit që lidhet me të dëmtuarit, dëshmitarët apo të akuzuarit, duke mos i dhënë akses askujt në këtë informacion. Por, duket se këto tre pika nuk janë zbatuar nga prokurorët, që tashmë janë jashtë sistemit të Drejtësisë.
Gazeta Shqip