Këshilltari i Trump që ndërmjetësoi takimin Hoti – Vuçiç jep detaje: Çfarë pritet të ndodhë të premten

Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Robert O’Brien, ka përsëritur se Kosova e Serbia kanë bërë progres të madh të enjten në diskutimet në Washington.
“Një rund shumë i mirë i diskutimeve pasdite me liderët e Serbisë dhe të Kosovës. Kanë bërë progres të madh sot. Normalizimi ekonomik nënkupton punë për të rinjtë. Bisedimet vazhdojnë nesër”, ka njoftuar O’Brien në Twitter.
Ai thotë se nesër pritet të vazhdojnë takimet, derisa ka treguar se përfaqësues të bankave të mëdha kreditore, koorporatave amerikane dhe Fondit të Mileniumit të Ri kanë qenë në takim.
“Diskutime të mira këtë pasdite me liderët e Serbisë dhe të Kosovës. Ata kanë përparim të ndjeshëm sot. Një falënderim për Koorporatën Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA’së, Fondacionin e Mijëvjeçarit të Ri dhe Bankën Exim që iu bashkuan takimit. Normalizimi ekonomik do të thotë punë për të rinjtë. Bisedimet do të vazhdojnë nesër”, tha ai.
Në Shtëpinë e Bardhë në Uashington të enjten po zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiç, lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Si ndërmjetëses të takimit janë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Para fillimit të bisedimeve këtë të enjte, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se pala serbe do të bëjë çmos për të arritur një kompromis për çështje të rëndësishme ekonomike. Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni.