Politika shqiptare, në një zë për paktin Kosovë-Serbi: Hap thelbësor

Klasa politike shqiptare ishte në një zë kur përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, të negociuar nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Trump.
“Një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes të dy vendeve, në funksion të paqes e stabilitetit në rajonin tonë!, shkruan Presidenti Ilir Meta në Facebook.
Edi Rama ka komentuar gjithashtu në faqen e tij Twitter. “Urime Kryeministrit Hoti për marrëveshjen e arritur me Serbinë, e cila s’është fundi po vazhdimi i të vetmes rrugë drejt njohjes përfundimtare: Dialog për gjithçka, Bashkëpunim për çka mundet sot, Këmbëngulje për çka duhet nesër!
Keqardhje që u humb kaq kohë për t’u dakordesuar me Shengenin Rajonal, si një projekt ambicioz me interes kombëtar zhvillimi përmes rritjes së bashkëpunimit, e si një shtysë më shumë për integrimin europian të shteteve tona, Po më mirë vonë se kurrë, edhe falë Amerikës mike.
Njohja e Kosovës nga Izraeli është fryti fantastik i kësaj marrëveshjeje me potencial të madh zhvillimor, po edhe shembull për të gjithë që lufta për paqen përfundimtare me Serbinë nuk bëhet as me shpata virtuale kundër Beogradit, as me damkosje digjitale tradhtarësh imagjinarë!”.
Edhe Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, përcolli një koment në Twitter.
“Personalisht dhe në emër të Partisë Demokratike përshëndes marrëveshjen e arritur mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Një falenderim të veçantë për Presidentin Trump dhe SHBA, për vëmendjen dhe përkushtimin ndaj Kosovës dhe Ballkanit. Shpreh shpresën dhe besimin se kjo marrëveshje do të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke i kontribuar kështu paqes, stabilitetit dhe integrimit Euro-Atlantik të rajonit”, shkruan Basha. Marrëveshja është përshëndetur edhe nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruci dhe Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.