Vuçiç e Hoti takohen edhe në Bruksel, BE mbështet dokumentet e Shtëpisë së Bardhë

Bashkimi Europian ka mbështetur dokumentet e firmosura në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit të Serbisë e kryeministrit të Kosovës.
Sot pas takimit që Vuçiç e Hoti kanë zhvilluar në Bruksel, si pjesë e procesit europian të dialogut në ndërmjetësinë e Komisionerit Borrell, u shpërnda një deklaratë e përbashkët ku mbështeten parimet e Uashingtonit.
“Në rastin e vazhdimit të dialogut të ndihmuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, presidenti Aleksander Vuçiq dhe kryeministri Avdullah Hoti, ia kanë konfirmuar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politika të Jashtme dhe Siguri/zëvendës-presidentit të Komisionit Evropian, Josep Borrell, se e kanë prioritetin më të lartë integrimin në BE dhe të vazhdohet puna në dialogun e ndihmuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, që është element kyç i rrugëve të tyre në BE. Po ashtu u zotuan të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar rreshtim të mëtejshëm në BE në përputhje me detyrimet e tyre përkatëse. Në këtë drejtim, dokumentet e firmosura në Ëashington, duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme të lidhura me dialog që kanë marrë dy palët, do të mund të ofrojnë një kontribut të dobishëm për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizim të marrëdhënieve”, thuhet në komunikatën e postuar nga BE-ja.
Të dielën në Bruksel kanë biseduar në takime të ndara Hoti dhe Vuçiç me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, dhe të dërguarin e posaçëm amerikan, Matthevv Palmer. Këta dy zyrtarë të BE-së dhe të Departamentit të Shtetit kanë qenë bashkë së pari në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e më pas me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin. Të dyja takimet janë zhvilluar në ambasadat përkatëse të këtyre dy shteteve në Bruksel.
Diplomatët evropianë e shohin këtë si një dëshmi të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pajtuar që rolin kryesor në aspektin politik në dialog ta ketë Bashkimi Evropian. Në këtë mënyrë, Marrëveshjen e Uashingtonit e shohin si një plotësim dhe ndihmë të asaj që po bën BE-ja në dialogun e Brukselit dhe presin që ky fakt të ndihmojë që palët të jenë më konstruktive. Kjo vlen sidomos për Kosovën, pasi që ka dhënë shenja se ka besim më të madh në rolin amerikan sesa në atë evropian dhe tash nuk mund të refuzojë në Bruksel diçka që ka pranuar në Uashington./ Gazeta Shqip