Mbërrin afër Shqipërisë lëvizja e konspiracionit që predikon se COVID është sajesë dhe që Trump është i përzgjedhuri për të mposhtur “grupin pedofil që sundon globin”

Ata thonë se po luftojnë “për njeriun e zakonshëm” dhe mendojnë se “diçka nuk shkon në shkallë globale”. Byroja Federale e Hetimit, FBI, thotë se lëvizja në fjalë është një kërcënim terrorist i brendshëm në SHBA

U bënë tre vjet që kur ‘QAnon’ u shfaq në faqen toksike të mesazheve 4chan. Tashmë ky fenomen i teorisë së konspiracionit ka arritur në Ballkan.

QAnon – Ballkan ka më shumë se 8,500 anëtarë, QAnon Srbija [Serbia] ka 2,700 dhe QAnon Hrvatska [Kroacia] gati 7,800. Disa nga faqet më të njohura të QAnon në Facebook kanë më shumë se 100,000 ndjekës secili.

Megjithatë, numrat nuk janë gjithçka.

“Sot nuk ke nevojë për një grup të madh njerëzish për organizim dhe demonstrime”, thotë Kevin Grisham, ndihmës drejtor i Qendrës për Kërkime mbi Urrejtjen dhe Ekstremizmin në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë në San Bernardino.

“Mjafton nëse 20, 30, 40 ose 50 njerëz ndihen të motivuar për të bërë diçka. Jetojmë kohën e aktivizmit virtual. Edhe një numër i vogël njerëzish mund të kenë një fuqi të konsiderueshme,” tha ai për BIRN.

“Shembulli më i mirë është QAnon, i cili filloi si një grup i vogël, por tani vepron globalisht. Është alarmante shpejtësia me të cilën rritet numri i anëtarëve, simpatizantëve dhe mbështetësve”.

Nga lëvizje margjinale, në konspiracion publik

Teoria fillestare e QAnon ka qenë që bota kontrollohet nga një grup pedofilësh, që operojnë një rrjet global të trafikimit të fëmijve për shfrytëzim seksual.

Por kohët e fundit ata e kanë bombarduar internetin me “informacione” në lidhje me pandeminë e COVID-19, tensionet racore në SHBA dhe përpjekjen e Trump për t’u rizgjedhur në nëntor. Sipas tyre Donald Trump është i përzgjedhur për të rrëzuar “grupin pedofil” nga pushteti global.

Facebook ka hequr 790 grupe QAnon, 100 faqe dhe 1.500 reklama dhe ka bllokuar më shumë se 300 hashtags të lidhura me lëvizjen. Twitter ka hequr rreth 7,000 llogari.

Ata kanë shpallur se COVID-19 “nuk ekziston”, se prindërit duhet t’i rezistojnë “vaksinimit të detyruar” dhe se përdorimi i teknologjisë mobile 5G “do të ketë pasoja të pariparueshme për të gjitha krijesat e gjalla në tokë. ”

Shumica e informacioneve që postohen vlerësohen rregullisht të rreme nga administratorët e Facebook ose kontrollorët e fakteve. Mesatarisht çdo një në dhjetë poste u hiqet.

“Q promovon paqen, Q është paqja. E gjithë çfarë i duhet kësaj bote të çmendur dhe me ritëm të shpejtë është që njerëzit të heqin dorë nga celularët, TV-të dhe kompjuterët e tyre dhe të mendojnë vetë. Më besoni, ata do të gjenin shumë gjëra jologjike në botë” – thotë drejtuesi i QAnon në Bosnje.

Sipas tij, COVID-19 është një “shfaqje” prapa së cilës po zhvillohet një “betejë midis së mirës dhe së keqes”.

Po kështu, sipas këtij grupi, George Floyd, burri afrikano-amerikan që vdiq në Minneapolis, pasi një oficer policie i mbajti gjurin në qafë për gati tetë minuta, duke shkaktuar protesta në të gjithë SHBA, në fakt nuk u vra.

“Ishte e gjitha e rreme, në mënyrë që të provokonte luftëra në rrugë”, shkroi një nga administratorët e grupit, profili publik i të cilit e përshkruan atë si të punësuar për ‘Team Trump’.

Ai nuk iu përgjigj një kërkese për intervistë dërguar përmes Facebook.

Vetë Facebook thotë se “faqet dhe grupet kundër të cilave janë marrë masa janë kryesisht me qendër në SHBA, por gjithashtu janë shfaqur në një seri shtetesh në të gjithë botën, përfshirë Ballkanin, si dhe në gjuhë të tjera, përfshirë gjermanishten dhe frëngjishten”.

‘Kjo është shqetësuese’

Vlado Azinovic, një profesor në Departamentin për Studime të Sigurisë dhe Paqes në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë thotë:

“Ne nuk duhet ta anashkalojmë mundësinë që një teori konspirative mund të evoluojë në një ideologji ose koncept të rendit shoqëror, i cili më pas vendoset dhe mirëmbahet përmes një sistemi shtypës qeverisës”.

Sipas të dhënave në dispozicion, në këtë moment 69 ish-kandidatë dhe kandidatë aktualë për Kongresin në SHBA, mbështesin pak a shumë hapur QAnon, ndërsa presidenti Trump pretendon se nuk di asgjë për lëvizjen.

“Sipas mendimit tim, kjo është shqetësuese” – thotë Azinovic.

Edhe për Grisham nga Universiteti Shtetëror i Kalifornisë është shqetësuese përpjekja për të promovuar një realitet të rremë, në të cilin “disa misteriozë të këqij sundojnë botën”.

“Nëse ata që promovojnë një realitet të tillë propozojnë se duhet bërë diçka për këtë, njerëzit që besojnë tek ta mund të përpiqen t’i përmbysin këta të këqijtë. Problemi është nëse “aktorët e këqij” nuk janë aspak të këqij, por bëhen thjesht kokë turku për teorinë e komplotit. Kjo është një pjesë e rrezikut të lëvizjes QAnon” – tha ai.

Psikologja Emina Zuna përshkroi një dimension tjetër të fenomenit të teorisë së konspiracionit në të cilin ata që merren zhvillojnë një “ndjenjë epërsie ndaj të tjerëve” që konsiderohen të paaftë për të arritur të vërtetën.

“Kështu që u takon teoricienëve të konspiracionit të na tregojnë të vërtetën dhe të na shpëtojnë”, tha Zuna. “Kjo i vë ata në një lloj pozicioni heroik. Kjo i bën lajka egos së tyre dhe i bën ata të ndihen një grup i zgjedhur”.

Kjo bëhet e rrezikshme kur “njerëzit që veprojnë në përputhje me teoritë e konspiracionit në të cilat besojnë ose në të cilat votuesit e tyre besojnë, gjenden në pozicione vendimmarrëse”.

“Nëse një numër i madh njerëzish besojnë se Gates do t’u vendosi një çip përmes vaksinës kundër koronavirusit, mund të shfaqet një politikan i cili do të premtojë se nëse e zgjedhin, do kujdeset që askush të mos i detyrojë ata të vaksinohen. Dhe, ndoshta, një person i tillë, nëse votohet masivisht, do të bëhet një ministër i shëndetësisë. Dhe, voila, ka pasoja” – tha Zuna për BIRN.

“Në të njëjtën mënyrë mund të ndodhë një rishikim i fakteve shkencore ose futja e përmbajtjes konspirative dhe komplotuese në librat shkollorë. Pastaj mund të ndikojë tek fëmijët dhe të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme botëkuptimin e tyre. Më duket se nuk jemi shumë larg kësaj” – shton ajo.

 

———

Artikulli është publikuar nga BIRN Sarajevë dhe është shkruar nga Mladen Obrenovic, gazetar për Al Jazeera Balkans. Botohet në DITA me shkurtime, titulli është i redaksisë

Back to top button
LAJMET E FUNDIT