Rotacionet shqiptare; një histori e shkurtër e pushtetit që bën stafetë, por jo ndryshim gjenerale politike

NGA YLLI PATA

Ka qarkulluar një aksiomë në Shqipëri në shumë vite se vendi quhet stabël nëse kryen dy rotacione pushteti normalisht.

E në fakt, tek ne janë zhvilluar disa rotacione pushteti që nga 1990, por jo vetëm që nuk u stabilizua situata, por një vit më parë ne pamë tentativa për të rrëzuar pushtetin me protesta të dhunshme që çuan për disa muaj në përplasje të vazhdueshme policinë me përkrahësit e opozitës.

Ndodhi për herë të parë në këto 30 vjet largimi i opozitës nga parlamenti dhe institucionet. Por përse ndodhi kjo dhe çfarë lidhje ka aksioma e 2 rotacioneve me Shqipërinë?!

Në logjikën politike shqiptare rotacion do të thotë thjesht këmbim pushteti, ndërsa në logjikën botërore do të thotë ndryshim i plotë i gjeneratës politike. Një zhvillim që jo vetëm jep freski, por i jep kuptim demokracisë në duart e qytetarëve.

Ndërkaq tek ne ka ndodhur e kundërta, përveç një rasti; kur largimi i një kryeministri dhe lideri të mazhorancës çoi në ndryshimin e komplet klasës politike të saj. Dhe ky është rasti i Fatos Nanos në vitin 2005.

Rotacionet shqiptare; një histori e shkurtër e pushtetit që

Rotacioni i parë politik në Shqipëri u zhvillua në vitin 1992. Partia Demokratike fitoi 62% të zgjedhjeve dhe kishte më shumë se dy të tretat e Parlamentit së bashku me aleatët e saj.

Pas 4 vjetëve në pushtet, në vitin 1996, vendi zhvilloi zgjedhjet e para parlamentare postkomuniste, që ishin një katastrofë. Pushteti futi duart në proces duke sjellë largimin e opozitës dhe një përplasje  që një vit më pas e çoi vendin në tehun e një lufte civile.

Rotacionet shqiptare; një histori e shkurtër e pushtetit që

Kjo situatë, e provokuar nga mazhoranca e PD me Sali Berishën kryeprotagonist solli zgjedhje të parakohshme pas një viti. Në këto zgjedhje, ndodhi rotacioni i parë politik postkomunist, i cili erdhi në mënyrë traumatike.

Vendi përjetoi rreth 1 vit kaos, ku shteti ra si kështjellë rërë, institucionet u kolapsuan dhe u vranë 3 mijë vetë.

Në pushtet erdhi Partia Socialiste e Fatos Nanos, i cili sapo kishte dalë nga burgu që e kishte mbyllur Sali Berisha. Sali Berisha jep dorëheqjen si president por nuk ikën nga politika, merr në dorë Partinë Demokratike, duke e konsideruar veten një viktimë dhe jo një aktor politik që e shfrytëzoi për faqe të zezë mandatin më të madh politik që ishte dhënë ndonjëherë një personi.

Rotacionet shqiptare; një histori e shkurtër e pushtetit që

PS që e mori vendin e shkatërruar dhe me humbjet kolosale në firmat piramidale e trajtoi pushtetin e marrë si një mandat të zakonshëm, duke nisur përplasjet për poste.

Një vit pasi mori pushtetin PS u përballe me një përpjekje reale për të marrë pushtetin me dhunë më 14 shtator 1998. Vendi nuk po stabilizohej. 3 vjet më pas në zgjedhjet parlamentare PS fitoi sërish, me “gogolin” se vjen Berisha.

Mandati i dytë i socialistëve ishte një katastrofë: që në muajt e parë nisi sherri ndërmjet Fatos Nanos e Ilir Metës për ndarjen e tortës së pushtetit dhe kjo luftoi përvijoi gjithë mandatin. Aq shumë e mbizotëroi debatin publik ky sherr, sa u harrua mandati i dytë dhe qëllimet.

Berisha bënte vetëm denoncimin e korrupsionit me të vërteta e të pavërteta që solli një ringritje të PD. PS pësoi shizmën më të madhe ku Ilir Meta dhe një pjesë e socialistëve formuan LSI.

Në zgjedhjet e vitit 2005 ndodhi rotacioni politik në vend. Berisha u rikthye në pushtet. Fatos Nano largohet nga skena politike. PS-në e merr Edi Rama që ndryshon grupin drejtues.

Rotacionet shqiptare; një histori e shkurtër e pushtetit që

U krye kështu rotacioni i parë i qetë. PD merr në dorë qeverisjen. Qëndron 8 vite në pushtet, mandatin e dytë duke qeverisur me LSI-në.

Edi Rama premtoi një revolucion apo “Rilindje” në 2013 dhe arrin të vijë në pushtet, duke bërë aleancë me Ilir Metën e LSI-në. Merr 84 deputetë. Pra dy të tretat. Ndodhi rotacioni i dytë.

Mandati i parë i Edi Ramës, ishte një luftë ndërmjet tij dhe Ilir Metës që kishte një pjesë të madhe të pushtetit. Në 2017, Meta bën gati aleancën me PD, por Rama e bën President. Lulzim Basha për 5 muaj bllokon sheshin para Kryeministrisë dhe kërkon largimin e Edi Ramës, në fund një marrëveshje me të më 17 maj 2017, çon në një qeveri hibride me Ramën kryeministër.

Rotacionet shqiptare; një histori e shkurtër e pushtetit që

Zgjedhjet e 2017 i fiton Edi Rama me kërkesën e “timonit vetëm” për të qeverisur e për të bërë Reformën në Drejtësi që të ketë një pastrim të politikës. Por edhe zbatimin e një plani 1 miliard euro investimesh. Ja ku jemi sot në mbarim të mandatit të dytë të PS-së, që ka kaluar në shumicën e tij në një përplasje permanente me PD e cila tentoi ta rrëzojë Edi Ramën në vitin 2019 me protesta.

 

Rotacionet shqiptare; një histori e shkurtër e pushtetit që

Nuk ndodhi, por opozita ka marrë një rol denoncues, duke e konsideruar Edi Ramën të keqen që duhet larguar. Rama kërkon mandatin e tretë me moton “për të bërë më shumë” ngaqë nuk ka mundur pasi kanë qenë kushtet dhe nga “robi edhe nga Zoti” duke përfshirë tërmetin e Pandeminë.

Njëra palë kërkon rotacion e tjetra konfirmim, por që realisht kemi të bëjmë me tre qendra pushteti që kanë kohë që qeverisin vendin. Edi Rama që prej kur u bë kryetar i PS-së pra që në 2005 dhe në anën tjetër qëndrojnë Lulzim Basha e Monika Kryemadhi që janë në një farë mënyrë klonimet e çiftit Berisha-Meta që nuk janë larguar aspak nga politika.

Në 25 prillin 2021 Shqipëria përballet me një logjikë sërish hibride: rotacion emrash, por jo ndryshim gjenerate dhe njerëzit kanë alternativë: Ose të mbajnë Ramën e njerëzit e tij besnik për herë të tretë, ose të sjellin Bashën e Kryemadhin, ku pas tyre qëndron lobi i fortë Sali Berisha e Ilir Meta me enturazhin përkatës.

Në këtë situatë palët po tentojnë të polarizojnë ambientin duke i sjellë elektoratit frikërat politike, njëra palë: do na vijë Saliu, tjetra: Do na rrijë Rama deri në 2030-n.

Zgjedhjet e 2021 nuk kanë të bëjnë me rotacion, apo këmbim gjeneratash, thjesht me dorëzim apo mbajtje të pozicioneve nga një klasë politike që i ka mbetur vendit prej 20 vitesh në krye, por që realisht nuk ka kryer asnjë mision për të cilin është votuar.

Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT