Liga e Kombeve/ Shqipëria zhgënjen ndaj Lituanisë, “Air Albania” makthi i kuqzinjve

Shqipëria ka zhvilluar një ndeshje shumë të dobët ndaj Lituanisë në Ligën e Kombeve duke u mposhtur me rezultatin 1-0.
Ndaj Lituanisë kuqezinjtë ishin inekzistentë në fushë, pothuajse gjatë gjithë lojës.
Të besuarit e teknikut italian e kishin shumë të vështirë të dilnin në lojën e tyre, një ekip pa ide dhe të pa qartë në fushë.
Nuk patën asnjë impakt as ndryshimet e bëra në formacion. Ekipi kundërshtar shënoi pas një gabimi trashanik të ekipit tonë.
Gjasula dhuroi një top mbrapa për sulmuesin kundërshtar, aty ku nuk kishte asnjë mbrojtës.
Strakosha e shoqëron me një dalje të gabuar dhe në fund Kazlauskas shënoi në të 51′.
Kuqezinjtë, me përjashtim të një goditjeje standarde të Manajt në minutën e 65-të nuk krijuan asnjë rast të rrezikshëm. Zëvendësimet e Rejës nuk dhanë asnjë impuls dhe si për të vulosur një mbrëmje të errët, kapiteni Hysaj e mbylli me karton të kuq ndeshjen, pasi mori edhe të dytin të verdhë.
Miqtë arritën një fitore historike në “Air Albania”, sepse kishin 4 vite pa fituar një ndeshje zyrtare, që nga 11 tetori i vitit 2016.
Ndërkohë stadiumi i ri vijon të jetë makthi i kuqezinjve pasi nuk kanë shënuar asnjë gol.
Aktualisht të gjitha ekipet kanë pikë të barabarta në grupin C të Ligës së Kombeve.