Vetëvrasjet tronditëse në spitalin Covid, psikologia sqaron çfarë ndodh me pacientët

Nisur nga vetëvrasjet në spitalin “Shefqet Ndroqi” të dy pacientëve të infektuar nga Covid-19 dhe për të shpjeguar se çfarë ndodh me këta pacientë, ishte e ftuar për një bisedë në emisionin ABC-ja e mëngjesit, psikologia Arjana Muça.

Sipas psikologes Muça, pacientët me Covid-19 janë lehtësisht të ekspozuar nga stresi dhe depresioni për shkak të vetë sëmundjes së panjohur dhe frikës që këta pacientë ndjejnë.

Ajo sqaroi se periudha e izolimit dhe masat e marra nga autoritetet kane ndikuar negativisht në sistemin nervor në përgjithësi tek e gjithë popullata.

Sipas saj institucionet duhet të kishin bërë më shumë në lidhje me informacionin që duhej dhënë në lidhje me sëmundjen.

“Një nga faktorët në atë që mendohet se kryen vetëflijim është stresi. Stresi e çon individin në sjellje të paimagjinueshme në shumë situata. Mënyra se si përballesh me sëmundjen, dhe pasiguria për jetën bën që reagimi është detyrimisht i ndryshëm, tek individë të ndryshëm. Individë të ndryshëm e përjetojnë në mënyra të ndryshme stresin.

Duke ditur rrezikshmërinë që Covid-19 ka, institucionet shëndetësore do të duhej të kishin bërë një punë të madhe në lidhje me informimin  publikut, pra nëse nuk është psikiatri apo psikologu në këto pavione, puna e tyre duhej të ishte informimi i publikut.

Çdo të thotë kjo? Të informosh mbi çfarë paraqet sëmundja në vetvete, duke filluar nga medikamentet që përdoren, çfarë efekti kanë ato, dëmet apo efektet anësore që mund të japin, sepse tek individë të ndryshëm japin efekte të ndryshme.

Fakti që dikush sëmuret me një sëmundje të panjohur është ngarkesë emocionale, dhe një pozitë të vështirë për mënyrën se si do të duhet të përballohet. Nuk janë vetëm mjekët, dhe nuk duhet të vendosim gishtin vetëm tek ata, sepse janë shumë elementë që bashkohen dhe japin efektet e tyre tek një individ”, sqaroi Muça.

Por çfarë ndodh me medikamentet që pacientet me Covid marrin?

Abc News: Në lidhje me preparatet që përdoren tek pacientët me Covid, si psh hidroksilklorokina sipas një epidemiologu shkakton një tendencë të vetëvrasjes. Epidemiologu ka thënë se në Amerikë pacientët që marrin këtë preparat trajtohen dhe një person nga stafi që kujdeset për ta, raporton për çdo ndryshim psikologjik që mund të ketë pacienti. Ai thotë se nëse përdoret ky preparat i cili aplikohet edhe në Shqipëri duhet një person që të raportojë dhe të kujdeset për të sëmurin bashkë me psikologun. Si mendoni?

Arjana Muça: A kemi ne kaq burime njerëzore sa për të bërë gjithë këtë procedurë? Dhe a janë psikologët tanë të trajnuar për një situatë pandemie? Pjesa më e madhe e tyre kanë lexuar për pandeminë, dinë çfarë ndodh, por në rastin konkret burimet njerëzore që ekzistojnë në institucionet tona të shëndetit nuk janë aq të larta sa në Amerikë.

Shtetet e huaja i marrin këto masa që në fillim. Shërbimi jonë shëndetësor megjithëse ka pësuar disa ndryshime të lehta, lë shumë për të dëshiruar. Të jeni të bindur që në spitalet tona janë të afërmit që shërbejnë dhe i mbështesin të sëmurët. Ne nuk kemi staf mjekësor që të kujdeset dhe të trajtojë të sëmurin. Prandaj duhet të kemi burime njerëzore të trajnuara për këtë gjë. Ne kemi shumë pak informacion nga spitalet Covid, se si paraqitet gjendja shëndetësore e të sëmurëve, të gjithë këto ndikojnë në sistemin nervor dhe reklamohen në sjelljen e individit. Një person i demoralizuar dhe jo mirë psikologjikisht, mundet më kollaj nga sëmundja.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT