Grenell reagon ndaj deklaratave të Albin Kurtit: Një gjë është e sigurt, ai është kundër SHBA

I dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar pasi kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se nëse rikthehet në qeverisje, nuk do të respektojë marrëveshjen e Uashingtonit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.
Me një reagim në Twitter, Grenell shkruan se Kurti është kundër SHBA, pasi ai ishte kundër ideve të Obamës, e po ashtu edhe atyre të ish-Presidentit Bush.
“Një gjë është e sigurt, që Albin Kurti të jetë kundër Shteteve të Bashkuara. Ai ishte kundër ideve të Obamës dhe ishte kundër ideve të Bushit. Simbolizmi nuk paguan qiranë; punët po”, shkruan Grenell.
Kurti u shpreh se nënshkrimi i marrëveshjes mes palëve në Uashington, është “kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.
“Ne nuk jemi të detyruar nga zotimet e Kryeministrit të paligjshëm të Kosovës kur të kthehemi në detyrë. Nënshkrimi i tij poshtë teksteve jo koherente dhe opake është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ato nuk do të ratifikohen në Parlamentin tonë”, deklaroi Kurti.