A e merr Rama mandatin e tretë apo po përgatit tranzicionin e pushtetit? Luan rol mosndëshkimi i berishëve, skandali i Astirit, qesharakët në qeverisje? Çfarë mendojnë dy analistë afër të majtës

Analisti Skënder Minxhozi thotë se Rama nuk i fiton dot këto zgjedhje me retorikë boshe dhe as me sondazhe autike, apo qoftë edhe me alibi tërmetesh e pandemish.

“Rama dhe të tjerët përgjigjen rregullisht se nuk e pengojnë drejtësinë të kryejë detyrën e vet dhe se do të miratojnë çdo hetim a veprim tjetër të prokurorëve a gjykatësve për zyrtarët aktualë. Në një shtet kur ish-kryeministrat pengonin dikur edhe arrestimin e gardistëve të thjeshtë për vrasje, ky është një angazhim korrekt, por i pamjaftueshëm” – shkruan Minxhozi.

Ai e ve theksin te lodhja e elektotratit për të parë rezultate reale, dhe jo thjesht iluzionin e rezultatit.

“Sepse kjo qeveri s’mund të promovojë, ose së paku të mbajë në rradhët e saj zyrtarë si ata të përfshirë në aferën e pisët të 40 milion eurove në Astir, apo të përmendur në sa e sa rrethana të dyshimta në rang kombëtar apo lokal, ashtu siç nuk mund të konsiderojë si normale dhe “pa zarar” sa e sa akuza me emra konkretë.

Në 40 milion eurot e fundit të rrugës Tiranë-Elbasan, shfaqet me cinizëm dhe në mënyrë të hapur natyra e squllët e kësaj qeverisjeje, e cila kujton se mund të shtyhet përjetësisht duke mos vepruar ndaj askujt: as ndaj të vetëve, as ndaj të tjerëve përballë. Më thuaj si të të shaj, thotë shprehja, si burrë të keq, apo si të pazotin?!

Është thënë e stërthënë këto tetë vjet se pasiviteti i qeverisjes së majtë ndaj Gërdecit, 21 janarit dhe dosjes 200 milionëshe të rrugës së kombit, përbën një njollë të errët për Ramën e të tjerët rreth tij, ashtu siç është një akt dobësie që nuk parathotë asgjë të mirë për imazhin  e qeverisjes së PS.

Këto zgjedhje nuk fitohen më me retorikë boshe dhe as me sondazhe autike, apo qoftë edhe me alibi tërmetesh e pandemish. Mandati i tretë kalon nëpër kalvarin e përballjes me të vertetën, jo të trafikimit të iluzionit të saj. Sidomos kur pretendon të marrësh votën për të qeverisur për herë të tretë. Ose do të tregohesh i ashpër duke fshikulluar edhe  vetveten, duke treguar kësisoj integritet dhe dinjitet politik e njerëzor, ose do të hapësh krahun për të ardhur në pushtet ata që ke anatemuar tetë vjet rresht si zullmuqarë. Pa i dënuar kurrë si të tillë…” – shkruan ai.

Analisti tjetër afër të majtës Dritan Hila mendon se që t’i shpëtojë një fundosjeje elektorale, Rama është në limitin e kohës që të ndërrojë imazhin e qeverisjes.

Ai thotë se shumë nga ministrat janë të kategorisë “koketa” ose hajdutë me çizme, e të tjerët qesharakë.

“Janë njerëz që nuk thonë asgjë dhe që nuk janë në gjendje të mbajnë asnjë peshë politike, perveçse bëhen barrë politike. Çfarë kuptimi kanë ca të tjerë që vijnë vërdallë si kali në lëmë dhe pa asnjë cilësi profesionale apo politike , por vetëm me kosto.

Nëse do bëjë një qeveri të re, dhe për këtë është në zgrip të kohës, duhen personalitete të fushave. E majta nuk i ka të paktë profesionistët dhe profesorët që mund të drejtojnë dikastere dhe që t’iu japi besim njerëzve që diçka do jetë ndryshe. Përndryshe, nëse vazhdohet me emra të konsumuar dhe banalë, apo trafikante interesash dhe delfinë të oligarkëve në qeveri, atëherë mesazhi që jep Rama nuk është aspak fitorja por sinjali se po përgatit tranzicionin e pushtetit” – shkruan Hila.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT