Shqipëri-Kosovë/ Liga Unike e basketbollit, Rama: S’jemi të mëdhenj as bashkë, imagjino veç e veç

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në aktivitetin e krijimit të Ligës Unike të basketbollit mes dy kombeve Shqipëri e Kosovë.
Në Ligën Unike do të marrin pjesë ekipe nga të dyja vendet. Rama tha se kjo është një nismë që hap rrugë të reja dhe përbën model dhe për nisma të tjera.
Sipas kryeministrit shqiptar, bashkimi është një gjë e domosdoshme pasi edhe të bashkuar jemi një ligë e vogël.
“Do përfshijë skuadra nga dy shtetet. Kjo nismë hap një rrugë të re, krijon një model dhe me siguri do bëhet shtysë për të tjerët që ta ndjekin. Nuk mundem përveç se ta përforcoj mendimin se ne jemi më shumë se sa thjesht mbështetës. Jemi duartrokitës të të gjitha nismave si kjo, në funksion të krijimit të një bashkërendimi konkret për të organizuar Liga Unike dhe jo vetëm, dhe jo vetëm në sport por dhe në të tjera drejtime.
Është dashur një periudhë pjekurie e këtyre dëshirave që kanë ekzistuar prej kohësh. Idetë kanë nevojë për kohë dhe fakti që kësaj ideje i erdhi koha është shumë i gëzueshëm. Kjo ide dukej fantashkencë. Sistemet tona arsimore ishin krejt të ndara, sot nuk është më kështu. Jo vetëm kemi abetare unike, por mësohet në shkollë një rrugë e përafërt.
Krijimi i Ligës Unike shkon një hap më tutje, përbën një moment shkuarje në një nivel tjetër, në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta. Kjo do bëhet shtysë për të tjerët. Aq më tepër në sport, që s’jemi të mëdhenj edhe nëse jemi bashkë, e jo më veç që jemi akoma më të vegjël.
E mira nuk ka fund dhe e keqja harrohet shpejt, kështu që ne sot si shqiptarë jemi më mirë seç kemi qenë ndonjëherë tjetër nga aspekti i pozicionit dhe i të drejtave. Krahasimi me 10 vite më parë është si dita me natën.
Nuk ka qenë 100 vjet përpara, kur lojtarët shqiptarë të basketbollit u arrestuan në fushë vetëm se ishin shqiptarë, është si ëndërr e keqe, por është realitet që e kanë jetuar personalisht,” tha Rama.