Gazetari i njohur shpërthen ndaj Berishës: I përjetshmi i pandëshkuar! Përgjegjës për mijëra të vdekur, njoftoi se do jetë deputet edhe pas 2021

Gazetari Bedri Islami përmes një shkrimi sulmon ish-kryeministrin Sali Berisha, pas një deklarate të këtij të fundit se në zgjedhjet e ardhshme do të kandidojë për një ulëse në Kuvendin e Shqipërisë.

“U bënë 30 vite që ai është në politikë dhe e ka zezuar politikën më shumë se askush tjetër. Në 30 vite ai ka qenë shembulli që nuk duhej ndjekur dhe që, sëbashku me liderin e PS-së së kohës, Fatos Nano, përmes marrëveshjeve të fshehta e të hapura, bënë lojën më intriguese dhe enigmë për degradimin e vendit, shpërthimin e së keqes, shkatërrimin e besimit dhe rënien e vendit në një humnerë, nga e cila, një pjesë, politikanët e llojit Berisha dhe familjarët e tyre do të dilnin oligarkë dhe të fuqishëm, ndërsa të tjerët do të mbesin gjatë në atë greminë”, shkruan ndër të tjera në artikullin e tij gazetari Bedri Islami.

Nga Bedri Islami

Në njërin nga emisionet e natës së pardjeshme, pikërisht në televizionin e familjes së tij, Berisha deklaroi haptas se, edhe në zgjedhjet e vitit të ardhshëm ai do të jetë në listat e kandidatëve për deputetë, duan apo nuk duan mohuesit e tij në PD, të heshturit dhe ata që e shohin pengesë qëndrimin e tij.

30 vite më parë, pikërisht në ditët e para kur filloi lëvizja pluraliste në Shqipëri, në njërin nga emisionet e Zërit të Amerikës, Berisha i sapo zgjedhur kryetar i PD-së, pasi kishte shmangur Hajdarin, që dihej pse ishte aty dhe kishte mënjanuar Meksin, do të bënte deklaratën që mund të ngjallte shpresë se pardesybardhët kishin ardhur në politikë për ta bërë atë më moderne, më perëndimore, si një detyrim i përkohshëm dhe jo si një strehë e përjetshme. Ai tha se në statutin e PD-së do të jetë e sanksionuar se kryetari do të jetë i vetëm një mandati dhe se qëndrimi i tij në politikë është i përkohshëm.

U bënë 30 vite që ai është në politikë dhe e ka zezuar politikën më shumë se askush tjetër. Në 30 vite ai ka qenë shembulli që nuk duhej ndjekur dhe që, sëbashku me liderin e PS-së së kohës, Fatos Nano, përmes marrëveshjeve të fshehta e të hapura, bënë lojën më intriguese dhe enigmë për degradimin e vendit, shpërthimin e së keqes, shkatërrimin e besimit dhe rënien e vendit në një humnerë, nga e cila, një pjesë, politikanët e llojit Berisha dhe familjarët e tyre do të dilnin oligarkë dhe të fuqishëm, ndërsa të tjerët do të mbesin gjatë në atë greminë.

Genc Ruli, një figurë e njohur politike në PD, që është thirrur për të bërë skartimet që i duhen kreut të PD-së, Bashës, hodhi gurin e parë të largimit të Berishës nga politika, duke e përkëdhelur në sipërfaqen e gjërave dhe duke lënë në thellësi atë që ishte më themelore: Berisha duhej të largohej vetë, nëse nuk do të donte ta hiqnin.

Mustafaj, një figurë intelektuale në PD, që kurdoherë e di se baraspesha është më e dëmshme se sa mohimi, sepse përmes saj sarkazma bëhet më e dukshme, mbrojti idenë e kundërt, por që të dy janë aty të zgjedhurit e Bashës dhe jo të Berishës, me të cilin, ashtu si kanë histori dashurie politike, kanë edhe ndarje, mëri dhe heshtje.

Berisha vazhdon prej 30 viteve të qëndrojë në politikë, mbështetur nga garda e tij, tashmë vetjake. Me përjashtim të vitit 1992, kur kupa ishte mbushur dhe vetë socialistët mezi prisnin të iknin nga pushteti, asnjëherë nuk ka fituar. Ka qeverisur, pa qenë fitues dhe ka sunduar, pa qenë mbret.

Në një shtet normal, që pas vitit 1997, nuk do të duhej të ishte më në politikë, i duhej ndaluar me ligj; pushteti i tij la pas vetes më shumë se 3 mijë të vrarë. E jo vetëm aty.

Mburret se është njeri i Kanunit, pasi vjen nga një fshat i Tropojës, e la pas vetes vetëm në Tropojë më shumë murana se i gjithë regjimi i Enver Hoxhës. Mburret se në ’91 solli mendimin ndryshe dhe rrëzoi komunizmin përmes protestave dhe demonstratave, ndërkohë u bë vrasës i demonstruesve me duar në xhepa përballë zyrës së tij. Tentoi të mashtronte si përherë e t’ua faturonte vrasjet të tjerëve, por u demaskua me prova, e pas kësaj doli hapur dhe u mburr se do të kishte vrarë edhe 330 të tjerë.

Ai që zvarritej pas fëmijëve të Hoxhës për disa foto, e më pas denonconte nënën e tyre për ca kafe në inventar, do të mbronte egërsisht të birin pas masakrës së Gërdecit. Do të sulmonte çdo prokuror që kapte dosjen, do të manipulonte të dhënat, do të kërcënonte gjeneralët, do të mohonte pjesë të familjes së tij: çoji thasët me para aty ku kishte vrarë fëmijë që punonin si skllevër.

Otranto ishte vepër e qeverisë së tij, grushti i shtetit në shtator 1998, po ashtu, abuzimet në Rrugën e Kombit i ndan me Bashën, ashtu si vrasjet e 21 Janarit, ama Gërdeci është vetëm vepër e familjes së tij.

Është koha për të thënë “mjaft”.

Po përse Berisha kërkon të jetë përsëri në politikë? Është e qartë. Ai kërkon betejën, jo karrierën, sepse karrierë nuk mund të ketë më.

Janë disa shkaqe përse kërkon me ngulm të jetë “ në betejë”: Duke qenë jashtë, e gjithë e shkuara e tij mund të jetë, dhe do të duhej të ishte, pjesë e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Duke qenë jashtë politikës, krimet që kanë ndodhur në kohën e tij e me urdhërin e tij, do të kishin qenë lehtësisht më të hetueshme; pasuria e familjes së tij, gjithashtu.

Qëndrimi i tij në betejë bën që jo vetëm ai dhe familja por edhe pasuesit e tij të njohur dhe të shumtë nga grupimet e vjetra, shumë të pasuruar nga koha e tij, të vijojnë të grabitnin ende gjithçka është e mundur për t’u grabitur në marrëveshje me të korruptuarit e rinj.

Qëndrimi jashtë politikës do të shënonte mbarimin e një ere në PD. Rikthimi i Berishës në politikë është një ogur i keq për vetë PD dhe opozitën. Por, jo rrallë herë, grahmat e fundit para se të kalojnë në një tjetër vend, kanë qenë pikërisht në salla parlamenti.

*Marrë nga Gazeta DITA

Back to top button
LAJMET E FUNDIT