“Nuk lëvizim, i kemi marrë masat dhe për dhunë”, tensione në protestën e naftëtarëve

Është tensionuar situata para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku naftëtarët janë përplasur me forcat e policisë, pasi tentuan të çajnë kordonin.
Ata deklarojnë se ndodhen në gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe se kanë 20 paga të pa marra dhe 11 muaj pa punë, ndërsa kërkojnë zyrtar nga Ministria të dalin të dëgjojnë pretendimet e tyre.
“Këtu do vdesim, nuk ka kthim mbrapa, kam punuar kam dhënë gjak unë atje. Deri në dhjetor na kanë dhënë një lëmoshë, nga janari na talli Edi Rama duke na dhënë një 400 mijë lekësh, tani na gënjejnë. Nuk lëvizim nga këtu, i kemi marrë masat edhe për dhunë”, u shpreh një prej protestuesve.
Por forca të policisë kanë ndërhyrë për të mos lejuar mbajtjen e protestës, për shkak të pandemisë së COVID-19.
Një person është shoqëruar , ndërsa naftëtarët shprehen të vendosur se do të protestojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.