Protesta e naftëtarëve/ PD: Dhuna e policisë e turpshme, qeveria t’u zgjidhë problemin
Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me protestën e naftëtarëve të Ballshit, të cilët u ngritën sot para Ministrisë së Infrastrukturës, duke kërkuar pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës.
Me një deklaratë për mediat, PD thotë se Policia e Shtetit nuk duhet të përdoret kundër qytetarëve.
Ata i bëjnë thirrje qeverisë që t’u zgjidhë problemin naftëtarëve dhe të dëgjojë zërin e tyre.
Reagimi i plotë:
Policia e Shtetit nuk duhet të përdoret kundër qytetarëve. Naftëtarët janë në të drejtën e tyre për të kërkuar pagat e prapambetura dhe vijimin e punës. Qytetarët nuk mund të shfrytëzohen, të mos paguhen dhe, në vend të zgjidhjes, të dhunohen nga Policia. Kjo është e turpshme!
Edi Rama nuk duhet të fshihet pas punonjësve të Policisë! Ai duhet të mbajë premtimet që u ka dhënë naftëtarëve. Të autorizojë Belinda Ballukun që të presë përfaqësinë e naftëtarëve!
Qeveria duhet të dëgjojë zërin e naftëtarëve dhe t’u zgjidhë problemin pa vonesa dhe mashtrime të tjera.
Policia e Shtetit nuk duhet të jetë përballë qytetarëve, por përballë atyre që e vjedhur Rafinerinë e Ballshit.