Rama propozon Ditmir Bushatin për postin e Komisionerit të Lirisë së Medias në OSBE

Pasi e emëroi si i dërguar i posaçëm për OSBE-në, kryeministri Edi Rama ka propozuar Ditmir Bushatin në një tjetër post të rëndësishëm.
Sipas Top Channel, Edi Rama ka propozuar që Komisioneri i Lirisë së Medias, Harlem Desir të zëvendësohet nga Ditmir Bushati.
Ndërkohë nuk dihet ende nëse Bushati do ta pranojë këtë detyrë të besuar nga Edi Rama.
Bushati kundërshtoi në parlament ligjin për anti shpifjen, i pari që kërkoi çuarjen e ligjit në komisionin e Venecias.
Désir, kritikat për Antishpifjen
Harlem Désir ka kundërshtuar disa pika të Paketës antishpifje.
Në dhjetor të një viti më parë, kur Rama tha se Kuvendi do kalojë më 19 dhjetor ligjin anti-shpifje, ku mediat sipas tij do të kenë “super-dënim”, Desir shprehej se paketa anti-shpifje zbatohet vetëm për shërbimet e mediave audiovizive dhe jo për ato online.
Ndërkohë, pak më vonë, ai pati kritika edhe për gjobat ndaj mediave.
“Për ligjin kundër shpifjes së miratuar nga qeveria shqiptare fundvitin e kaluar, kemi dhënë mbështetjen tonë me disa amendamente. Sot kemi diskutuar për lirinë e medias, për ta garantuar atë. Ajo duhet të respektohet. Do t’i kërkojmë qeverisë hartimin e një akti nënligjor për paketën anti-shpifje që gjobat ndaj mediave që shkelin ligjin, të jenë proporcionale. Në rishikimet e bëra nuk janë përmbushur kriteret që ka vendosur OSBE. Përsa i përket AMA-s, ndryshimet e fundit duket se kanë sjellë një reflektim të kërkesave të OSBE, por ajo duhet të sigurojë që të jetë një organ i pavarur, përndryshe do të humbasë besueshmërinë e saj”, tha Desir më 8 janar 2020.