Greqia do 12 milje, ish-komandanti i Flotës Detare: Athina arrogante, synoi dy herë të zgjerohej, zgjidhja e vetme…

Pas deklarimit të kryeministrit grek Kiriakos Micotakis, për zgjerimin me 12 milje të hapësirës së tyre detare, çështja e detit u rikthye në diskutimin politik dhe publik në Shqipëri dhe Greqi.
Ndërkohë që negociatat për një marrëveshje të dytë me Greqinë janë ndërprerë, kryeministri Edi Rama sheh si zgjidhje dërgimin e çështjet në Gjykatat Ndërkombëtare, ose me ndërmjetësimin e një palë të tretë.Kjo zgjidhje duket se është pranuar dhe nga pala greke, teksa ministri i jashtëm Niko Dendias e konfirmoi këtë për Euronews.
Ish-komandanti i Forcave Ushtarake Detare, Vladimir Beja tha për Euronews Albania se një pjesë të fajit për këtë çështje e ka qeveria shqiptare teksa kujtoi se është rasti i parë që një Gjykatë Kushtetuese rrëzon një marrëveshje të vendit të vet.
Ai e konsideron shqetësues faktin që prej kaq shumë kohësh nuk është arritur në një marrëveshje që sipas tij është e nevojshme. Ish-komandanti i FA iu referua shtetit grek si përgjegjës për ngritjen e tensioneve politike teksa nënvizoi se tashmë nuk bëhet fjalë për ‘përcaktim kufijsh’, siç thuhet shpeshherë, por quhet saktësim i detit territorial, i cili është njësoj si sipërfaqja tokësore dhe përcaktimi i zonave të tjera detare shoqëruese.
“Shqipëria e ka mbaruar marrëveshjen me Italinë dhe nuk asgjë kemi të ndarë as me Greqinë as me Malin e Zi, pra nuk e kemi të delimituar dhe nuk kemi të ndarë zonën ekonomike ekskluzive dhe shelfin kontinental. Këtu është çështja”, – tha z. Beja.
Ai solli dhe njëherë në vëmendje se Greqia ka tentuar dy herë të zgjerojë hapësirën detare dhe nuk është lejuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Sipas tij ndryshimi i ‘rregullave të lojës’ që Greqia po bën në mes të marrëveshjes, duke dashur ta zgjerojë hapësirën detare nga 6 në 12 milje, është një qëndrim arrogant dhe prepotent i cili nuk çon në marrëveshje.
“Unë jam i bindur që çdo zgjerim territorial i detit të Greqisë në veri të ishujve Othonoi dhe Ereikousa nga 6 deri në 12 milje prek interesant kombëtare të shtetit shqiptar”, – u shpreh ish- komandanti i forcave detare, teksa nënvizoi se mirëkuptimi dhe negociatat janë mënyra më e mirë për ta arritur marrëveshjen.