Letra/ Eurodeputetët paralajmërojnë Ramën: Mos ekstrado turkun Selami Simsek, po rrezikon integrimin

Shqipëria po rrezikon integrimin. Ky është paralajmërimi nga një grup eurodeputetësh që i kanë dërguar një letër kryeministrit Edi rama në lidhje me vendimin për të refuzuar azilin për “gylenistin” turk, Selami Simsek.

Nisma fillimisht u realizua nga eurodeputetja rumune, Ramona Strugariu, të cilës iu bashkuan edhe 8 eurodeputetë të tjerë. Ata thonë se Simsek ka pretenduar vazhdimisht se do të përballet me ndjekje penale nëse deportohet në Turqi si anëtar i lëvizjes klerike Fethullah, të cilën autoritetet e Ankarasë e konsiderojnë si organizatë terroriste.

“Familja e tij shprehu frikë se ai mund të ndajë fatin e Harun Celik (me të cilën Simsek u arrestua). Mësuesi turk që u vendos në një aeroplan në rrethana mjaft të dyshimta nga autoritetet shqiptare dhe u dërgua në Turqi më 1 janar të këtij viti, arrestua menjëherë pas mbërritjes në Stamboll”, thuhet në letër.

Eurodeputetët kujtuan se në mars 2020, Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) nisi një hetim mbi ekstradimin e mësuesit turk Harun Çelik, i ekstraduar mbrëmjen e vitit të ri. Ai u arrestua së bashku me Simek dhe u akuzuan për falsifikim të dokumenteve. Çelik u ekstradua në “rrethana mjaft të dyshimta”, citojnë eurodeputetët.

Sipas eurodeputetëve, Simsek iu refuzua azili për arsye teknike pasi ai nuk arriti të apelojë çështjen brenda 15 ditësh ndërsa kërkoi një sqarim nga Shqipëria për këtë.

Eurodeputetët kërkojnë nga Shqipëria të përmbushë detyrimet ndërkombëtare të parashikuara në Konventën e Gjenevës për Refugjatët, e cila përcakton se “një person nuk duhet të kthehet në një vend ku përballet me kërcënime serioze për jetën ose lirinë e tij”. Ata gjithashtu i kujtuan qeverisë se respektimi i të drejtave të njeriut është një kusht për anëtarësimin në BE.

“Ne kërkojmë sqarime urgjente nga autoritetet shqiptare për situatën e Selami Simsek. Parlamenti Evropian ka qenë një mbështetës i fortë i përpjekjeve të Shqipërisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe ne jemi shumë të shqetësuar për efektin që këto dukuri të përsëritura të mosrespektimit të të drejtave themelore mund të kenë në procesin e integrimit evropian të vendit” shkruanin eurodeputetët në letrën drejtuar qeverisë shqiptare .

Back to top button
LAJMET E FUNDIT