Raporti/ Rama, votoi në Kuvend vetëm për gjysmën e ligjeve të qeverisë që drejton

Axhenda kryeministrore shpesh e pengon shefin e Ekzekutivit që të jetë prezent në të gjitha votimet e ligjeve në Kuvend. Madje, në shumë raste as zëvendësi i tij nuk ka qenë i pranishëm, ndoshta nisur edhe nga llogaritë se prezenca e deputetëve të së majtës janë të mjaftueshëm për votën e domosdoshme të kalimit të një projektligji.
Në praktikat e mira parlamentare qeveria është e detyruar të jetë e pranishme në punimet e Parlamentit, me përjashtim të rasteve të pamundura (arsye udhëtimi, mbledhjeje të papritur, aktiviteti ndërkombëtar, shëndetësore, etj).
Sidomos kur vendi është në situatë të emergjencës dhe Parlamenti merr vendime të rëndësishme, ku shumica e tyre janë akte normative ose nisma të vetë qeverisë, kjo e fundit i bashkohet Parlamentit jo vetëm si deputet – votues, por edhe në respekt të llogaridhënies dhe të pushtetit primar që ka parlamenti ndaj pushtetit ekzekutiv.
Sipas Institut të Studimeve Politike, të dhënat krahasuese të votës qeveritare gjatë sesionit janar-korrik 2020 tregojnë se vetëm një ministër deputet ishte i pranishëm në të gjitha votimet dhe se kryeministri e zëvendësi i tij ishin anëtarët e kabinetit më me pak pjesëmarrje në votimet e Kuvendit, përkatësisht në 58 për qind dhe 60 për qind të rasteve.
Për shkak se në periudhën e Covid-19 votimi ishte shumë më i favorshëm për deputetët (mund të votonin në çdo kohë që nga fillimi i seancës plenare), ministrat dhe dy drejtuesit e lartë të qeverisë kishin të gjithë mundësinë të ishin pak minuta prezent në parlament për të votuar pa cenuar agjendën e tyre ekzekutive ditore.
“Fakti se edhe në dy sesionet e kaluara parlamentare kryeministri ka pasur përqindjet më të larta të mospjesëmarrjes në votimet e Parlamentit është tregues se shifra e tanishme kritike nuk është rastësi, por pjesë e raportit të tij personal e institucional me Parlamentin, të cilin de facto e kontrollon në çdo vendimmarrje të tij”, – thuhet në studimin e ISP.
Në rastin shqiptar kemi tashmë një grup solid deputetësh, të cilët në tërësi në të gjitha sesionet parlamentare nuk marrin pjesë në debate parlamentare ose nuk votojnë aktet e Kuvendit. Nëse u referohemi 10 deputetëve me përqindjen më të ulët të pjesëmarrjes në votimet në parlament, rezulton se midis tyre ka një shumicë deputetësh që janë tërësisht jo aktivë edhe në komisione dhe në aktivitetet e tjera parlamentare, por ka edhe ndonjë deputet që merr pjesë aktive në fjalime në seanca, duke preferuar në fund të tyre të mos marrë pjesë në votim.
Në 23 deputetët me përqindjen më të vogël të pjesëmarrjes në votimet e akteve në Kuvend gjendet vetëm një deputet i PS, i cili për një periudhë kohe nuk ishte fizikisht në Tiranë duke pamundësuar pjesëmarrjen në votim. Në tërësi deputetët e mazhorancës kanë qenë unanim në pjesëmarrje dhe në votime, ndërkohë që deputetët e opozitës së re parlamentare dhe disa prurje të tjera nga biznesi në politikë, kanë zgjedhur të jenë joaktivë në debate ose në votimin e akteve parlamentare.
Në listë ka edhe emra mjaft të njohur parlamentarësh nga opozita e re parlamentare, të cilët siç duket kanë zgjedhur të mos bëhen pjesë e vendimmarrjes, pavarësisht se në listën e deputetëve më me shumë fjalime figurojnë mjaft aktivë.
Deputetët me më pak votime në Kuvend kanë qenë për sesionin e kaluar Lefter Koka, Nikon Staka, Erion Piciri, Ligoraq Karamelo Ambra Borova, Tom Doshi e shumë të tjerë.
Në këtë listë bie në sy emri i Rudina Hajdarit, e cila është aktive në Kuvend, por këtë nuk e ka treguar me një qëndrim vote. Në praktikat e mira parlamentare, midis opsioneve politike në votimin e akteve, opsioni i abstenimit është kryesisht tipar i një pakice deputetësh që përfaqësojnë grupe liberale apo individë të pavarur që mendojnë ndryshe nga shumicat në qeveri dhe opozitë.
Në rastin shqiptar ky shpjegim merr vlerë vetëm në raste specifike, ku votat abstenuese deklarohen. Në tërësi, në rastin tonë, vota abstenuese shihet si çlirim nga presioni, ikje nga përgjegjësia ose pavendosmëri vendimmarrjeje.
Gazeta Shqip