Viti Akademik online? Flet Majlinda Keta: Jemi të vonuar, universitetet s’kanë kushtet

Viti i ri akademik duhet të nisë online. Kështu sugjeron pedagogia Majlinda Keta e cila në një intervistë për gazetën “Shqip” thotë se është shumë vonë për të vendosur mbi mënyrën e zhvillimit të mësimit në auditore.

Ekspertja e në fushën e arsimit thotë se universitetet publike nuk kanë infrastrukturën e nevojshme gati për përshtatjen e auditorëve në kushtet e pandemisë së virusit Covid. Po ashtu, sipas Ketës, në universitetet publike mungojnë sistemet e duhura për platformën online dhe përvoja e këtij viti e tregoi më së miri këtë.

“Ne po mbyllim një vit akademik, pasi vijojmë në auditore me konsultim provime, me miksim formash të komunikimit online dhe pak nga ne zotëruan aftësinë e mësimit online me platforma që bota i ka pasur pjesë të së përditshmes. Ne vijojmë në një ligj të pamenduar për mësimin dhe institucionin online duke lënë një “anarshi” në potencë edhe për vitin në vijim”, shprehet ekspertja e arsimit, Majlinda Keta.

Sipas saj, kjo panoramë shumëngjyrëshe mes institucioneve universitare publike, apo mes atyre dhe sektorit jopublik së pari vjen nga mos adresimi i duhur i kompetencës digjitale si pjesë e “normalitetit” në përshkrimin e punës së një pedagogu; si pasojë e mungesës së pajisjeve dhe sistemeve të përgatitura në platforma online por mbi të gjitha nga investimet e paorientuara që në buxhetim të arsimit për institucionin online”, shprehet Keta.

Më tej, ajo thekson se dhe investimet e reja në infrastrukturë vijojnë të kryhen pa pasur këtë standard në ndërtesat tona. Një tjetër problem që adresohet nga pedagogia Majlinda Keta është mungesa e kualifikimit të brendshëm për platformat që do të përdorim këtë vit akademik. Kjo do të vështirësojë sipas saj zhvillimin e mësimit online.

“Unë besoj se Viti i ri Akademik në vijim do të jetë një miksim mes auditorit dhe mësimit online, me shumë gjasë do të anojë nga mësimi online.

Në rast përkeqësimi situate të të dhënave të infektimit me koronavirus në radhët e pedagogëve dhe studentëve apo popullatës në tërësi gjykoj se do kalohet online komplet. Kjo e fundit vjen edhe sepse insfrastrukturat tona nuk përballojnë auditoret me 50-70% të kapacitetit studentor për të dy nivelet, Bachelor dhe Master”, thotë Keta.

Pedagogia e Universitetit të Tiranës thotë se në universitet mësimi vijon me përdorimin e auditorit në mënyrë të pjesshme.

“Nëse konsiderojmë se virozat stinore do të përkeqësojnë situatën gjykoj se jemi të vonuar në deklarimin e formës që do të përdoret në këtë Vit Akademik. Përvoja botërore na dëfton që gushti ka qenë muaji i deklarimit zyrtar për mësimin universitar online ndaj duhet nxituar. Ajo që unë shoh tepër emergjente është pasqyrimi në Rregulloret e Brendshme të universiteteve të standardeve etike dhe normativat e një institucioni akademik online. Pjesa e drejtorive të kurrikulës, asaj juridike, Këshillat e Etikës apo ato të Kurrikul Programeve etj pranë rektorateve tashmë duhet të kishin nxjerrë materialet e para për diskutim në Asambletë e çdo njësie kryesore me qëllim që Viti Akademik në vijim të jete më cilësor se ai që po lemë pas”, thotë pedagogia Majlinda Keta.

Këta thotë se pandemia do të kushtëzojë financat e universitetit ndaj duhet rialokuar buxheti vjetor dhe duhet projektuar buxheti i vitit 2021. “Lëshimet drejt një “ anarkie” pa standardizuar institucionin universitar online do të ishin vdekjeprurëse për universitetin. Nuk na takon të shpikim por thjesht të vendosim referuar një modeli të huaj të ngjashëm në funksionalitet me universitetin publik shqiptar”, thotë për “Shqip”, pedagogia Majlinda Keta.

Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT