Situata e COVID-19 në vend, ekspertja e ISHP tregon skenarët: Vetëm në këtë rast mund të mbyllen shkollat

Që në nisje të vitit të ri shkollor, ekspertët e shëndetit publik deklaruan se do të kishte rritje të numrit të infektimeve.

Por ka kaluar vetëm java e parë e nisjes të tyre dhe rastet e infektimeve në institucionet arsimore po raportohen çdo ditë pothuajse në qytete të ndryshme të vendit.

Shifrat e para u raportuan për Tiranën, e cila ka qenë vatra më e nxehtë e përhapjes së COVID-19. Që në ditët e para të procesit mësimor, 12 mësues dhe 3 nxënës në Tiranë kanë rezultuar pozitivë dhe po mbahen në izolim. Raste infektimesh janë evidentuar edhe në  4 shkolla të Fierit, ku 3 nga këto shkolla janë publike dhe një private.

Dr. Eugena Tomini, Shefe e Inteligjencës Epidemiologjike në ISHP tha në “Wake Up” se janë disa skenarë në rastet e shpërthimeve epidemike; kur ka qoftë dhe një fëmijë të infektuar, një klasë e tërë apo e gjithë shkolla.

“Edhe në rastet kur është infektuar e gjithë klasa skenari është izolimi i klasës, evidentimi i rasteve pozitive, hetimi epidemiologjik i secilit rast dhe karantinimi i personave të kontaktit, duke përfshirë edhe mësuesit që kanë bërë mësim në atë klasë. Dhe rasti ekstrem është mbyllja e një shkolle. Por pa kryer një hetim të detajuar nuk shkohet në këto masa ekstreme”, shpjegoi Tomini.

Në 48 orët e fundit raportohet se është infektuar një nxënës gjimnazi në Pogradec, por edhe një rast në një nga shkollat e mesme në Gjirokastër.

Ndërkaq një ditë më parë u raportua edhe për 4 mësues në një shkollë 9-vjeçare në fshatin Mbrakull në Poliçan të cilët kanë rezultuar të infektuar me COVID-19 pas kryerjes së tamponit.

Raportohet se mësuesit janë karantinuar po ashtu edhe disa kolegë të tyre ndërkohë që janë mbyllur disa klasa.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT