325 mijë armë në duart e shqiptarëve, pse dështoi strategjia e mbledhjes së armatimeve

Në shkurtin e vitit 2019, kryeministri Rama, nën cilësinë e shefit të Qeverisë miratoi në kabinetin qeveritar një plan strategjik 5-vjeçar për nisjen e një aksioni kombëtar për gjurmimin, mbledhjen dhe shkatërrimin e armëve, municioneve dhe eksplozivëve në duart e shqiptarëve.
Sipas Ramës, udhëheqës për këtë do të ishte Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Mbrojtjes dhe një sërë institucionesh të tjera shtetërore, ndërsa do të monitorohej nga Komisioni Kombëtar për Armët e Vogla dhe të Lehta, i ngritur me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Por, që prej asaj kohe e deri tani, pra pas një viti e gjysmë, kjo strategji duket se nuk po funksionon. E para, sepse armët duket që janë lehtësisht në duart e të fortëve dhe të shumë qytetarëve, sepse shifrat e krimit janë të larta dhe e dyta, Policia nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar për këtë strategji, ashtu sikurse bën fjala bie me Operacionin Forca e Ligjit.
Plani strategjik parashikon që deri në vitin 2024 të ulet në mënyrë të konsiderueshme qarkullimi i paligjshëm i armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve drejt, brenda dhe përtej vendit tonë, të ulet numri i armëve të zjarrit që mbahen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri si dhe të shkatërrohen ato.
Sipas dokumentit strategjik, aktualisht në duart e shqiptarëve janë 325 mijë armë zjarri në mënyrë të paligjshme. Në vitin 1997 janë grabitur 549 mijë e 775 armë, 839 milionë e 310 mijë e 038 municione dhe 16 milionë eksplozivë.
Në strategjinë e miratuar, nuk përjashtohet mundësia e një amnistie të re për armëmbajtjen pa leje, për të nxitur shqiptarët që të dorëzojnë vullnetarisht armët dhe municionet, pa u ngarkuar me përgjegjësi penale, gjë që as kjo nuk është bërë e mundur të paktën për intervalin kohor të një viti e gjysmë nga miratimi i saj.
Në dokumentin e asaj kohe thuhet se aplikimi i herëpashershëm i amnistisë për armëmbajtjen pa leje për një periudhë 2–3-mujore, bashkëpunimi i Policisë së Shtetit për sensibilizimin e qytetarëve me organizatat ndërkombëtare, median, institucionet e tjera shtetërore dhe OJF të ndryshme, do të ndikonte pozitivisht në rritjen e numrit të armëve dhe municioneve të dorëzuara vullnetarisht, të cilat mbahen pa leje nga popullata.
Krahas amnistisë ose disa amnistive 2-3 mujore, strategjia parashikon edhe ndryshimin e legjislacionit për armëmbajtjen pa leje. Do të plotësohet më tej legjislacioni i aktual, por nuk përjashtohet as ashpërsimi ligjeve për armëmbajtjen pa leje.
Rishikimi i vazhdueshëm i legjislacionit dhe politikave ka për qëllim të analizojë dhe ndryshojë legjislacionin primar dhe sekondar si dhe strategjitë e mekanizmat aktualë dhe ti sinkronizojë ato me ndryshimet ligjore të BE-së.
Në veçanti do të adaptohen dhe plotësohen ligjet si ai për armët, që do të plotësohen në përputhje me kërkesat e Direktivës së BE-së për armët e zjarrit dhe rregulloren për çaktivizimin e armëve; ligji për mallrat me përdorim të dyfishtë; ligji për përdorimin civil të lëndëve plasëse, të përputhet me legjislacionin përkatës të BE-së, në veçanti me legjislacionin për prekursorët, si dhe listën e eksplozivëve të lejuar (OKB).
Rishikimi i legjislacionit do të bëhej gjithashtu në përputhje me Protokollin e Kombeve të Bashkuara për Armët e Zjarrit, Instrumentin Ndërkombëtar për Gjurmim, si dhe Traktatin e Tregtisë së Armëve”, thuhet në strategji.
Dokumenti strategjik parashikonte edhe bashkëpunim ndërkombëtar në aksionin e ri kundër armëmbajtjes pa leje, por sidomos trafikimit të armëve nga Shqipëria, që nuk është mundësuar me përjashtim të një rasti me Kosovën, e evidentuar në prillin e vitit të kaluar, kur u arrestuan 3 persona dhe u sekustrua një sasi e konsiderueshme armësh në një fshat të Peqinit, dhe që u përkisnin dy grupeve kriminale.
Bashkëpunimi ndërkombëtar në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit, municioneve, lëndëve plasëse vlerësohet shumë i rëndësishëm. Bashkëpunim në fushën e grumbullimit të informacioneve, në bazë të të cilave do të bëhet analizimi i hollësishëm i rasteve dhe do të identifikohet prania e veprimtarisë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit.
Strategjia ka të shkruar “e zeza mbi të bardhë” krijimin e skuadrave të hetimit të përbashkëta me pjesëmarrjen e hetuesve nga secili shtet kur ka premisa të zhvillimit të veprimtarisë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit.
Krijimi i skuadrave të hetimit të përbashkëta, do të ishte më shumë produktiv në krahasim me organizimin e operacioneve rajonale me pjesëmarrjen e shumë shteteve, për të rritur cilësinë e shkëmbimit të informacionit, besueshmërinë e anëtarëve të skuadrës së hetimit, shmangien e pengesave burokratike dhe shkëmbimin e eksperiencave, parashikon strategjia.
Në dokumentin, që shoqëron këtë artikull janë të shkruar edhe 7 objektivat e strategjisë së asaj kohe.
Së pari, brenda vitit 2023 të garantohet miratimi i legjislacionit për kontrollin e armëve, plotësisht i harmonizuar me kuadrin rregullator të BE-së, dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare përkatëse dhe i standardizuar me të gjithë rajonin.
Së dyti, brenda vitit 2024 të garantohet se politikat dhe praktikat për kontrollin e armëve në vendin tonë janë bazuar në statistika dhe udhëhiqen nga informacionet e inteligjencës.
Së treti, brenda vitit 2024 të ulet në mënyrë të konsiderueshme qarkullimi i paligjshëm i armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve (AME) drejt, brenda dhe përtej vendit tonë.
Së katërti, brenda vitit 2024 të ulet në mënyrë të konsiderueshme oferta, kërkesa dhe keqpërdorimi i armëve të zjarrit nëpërmjet ndërgjegjësimit, edukimit, informimit dhe promovimit të kontrollit.
Së pesti, brenda vitit 2024 të ulet mjaftueshëm numri i përllogaritur i armëve të zjarrit që mbahen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.
Së gjashti, në mënyrë sistematike, të ulet sasia e tepërt dhe të shkatërrohen armët e vogla dhe të lehta dhe municionet e tyre të kapura, duke respektuar standardet mjedisore.
Së shtati, të ulet në mënyrë të konsiderueshme rreziku i përhapjes dhe devijimit të armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve. Këto prioritete janë tashmë në letër dhe në zyrat e institucioneve të ngarkuara për të mbyllur gjithçka lidhur me mbledhjen e armëve, por duket se ende është shumë larg zbatimit të saj.
©Copyright Gazeta Shqip