Protesta para QSUT/ Rritje page e kushte më të mira pune, ja lista me kërkesat e mjekëve

Mjekët kanë paralajmëruar protestë ditën e nesërme, në orën 10:00, para QSUT.
Ndërsa ndodhen në vijën e parë të luftës me koronavirusin, ata kanë hartuar një listë me katër kërkesa.
Bluzat e bardha kërkojnë të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata mjekët që kanë humbur jetën si pasojë e COVID, të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, rritje të pagave si dhe kushte optimale pune për parandalimin e infeksioneve.
Mjekët kërkuan leje nga Policia e Tiranës, por kjo e fundit u mohoi kërkesën, me argumentin se tubimet janë të ndaluar gjatë periudhës së pandemisë.
Kërkesat e mjekëve:
Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm
-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën edhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.
-Rritje të vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.
-Personeli shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet optimale në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.