Mënyra se si mund të çajnë sistemin forcat e reja? Modelet fituese në Europë e Ballkan!

Ka një nervozizëm nga ana e partive të reja dhe grupimeve politike që kanë dalë nga PD-ja në lidhje me pragun që mazhoranca ka propozuar për të hyrë në Parlament që është 5% në rangun kombëtar. Ndërkaq edhe nga komentatorë të ndryshëm, pragu po shikohet si një lojë e përbashkët e PS-së me “shkeljen e syrit” nga PD-ja për të mbajtur monopolin e jetës politike.
Ankesat apo opinionet e ndryshme që vijnë në këtë rrafsh konsistojnë me një logjikë që nuk është e re në Shqipëri, ku forcat e reja politike duhet të kenë hapësirë për të depërtuar në sistemin e mbyllur në vend e që dominohen nga të mëdhatë.
Prej vitesh ka pasur disa raste ku forca të ndryshme politike të reja kanë pasur një efekt “meteori” por nuk se kanë arritur të çajnë sistemin për të hyrë në Kuvend.
Sidomos sistemi aktual; proporcionali rajonal, është shumë i parashikueshëm dhe i kontrollueshëm nga dy partitë e mëdha, duke njohur pritshmëritë dhe lëvizjet.
Në vite tek ne kanë dalë grupime apo forca që kanë dhënë sinjal se mund të prekin nervin për një prishje të statusquosë si Gjergj Bojaxhiu në 2015, parti politike të tjera, por që nuk kanë mundur të futen në sistem edhe prej kontrollit që dy të mëdhenjtë i bëjnë sistemit të numërimit dhe administrimit të votës.
Përtej të gjithave, si mund të jetë ai terren që të sjellë një ndryshim politik nëpërmjet hyrjes së grupimeve të reja në vend, që dukshëm si sensibilitet ekzistojnë?
Që parti apo lëvizje si Lëvizja Pesë Yjet (Movimento 5 Stelle) në Itali, apo Syriza në Greqi të çajnë sistemin e monopolit 30- vjeçar politik. Për të analizuar këtë fenomen, normalisht që duhet të ndjekësh rrugën që këto lëvizje ndoqën për ta thyer statusquo-në.
Syriza e Alexis Tsipras, nga një forcë minore e vjetër e së majtës arriti t’i imponohet zgjedhësve grekë në kulmin e krizës, pikërisht me daljen si alternativa e sistemit të vjetër të dekompozuar. Dhe synoi elitën e PASOK-ut, partisë së madhe të qendrës së majtë, që i mori të gjithë elektoratin, duke u kthyer në alternativë për zgjedhësit e së majtës.
Bëri luftë edhe me Europën për të ndalur programin masiv të pushimeve nga puna dhe uljes së rrogave. U bë avokatja e kësaj mase, ndaj dhe arriti të fitojë zgjedhjet parlamentare të vitit 2015, duke marrë 36.34% të votave, kur dhe u bë kryeministër i Greqisë.
Por deri në këtë rrugë, kishte udhëhequr zgjedhjet e vitit 2009 ku mori4-6%, ato të majit 2012 ku mori 16.8% dhe të qershorit 2012 ku mori 26.8% të votave. Pra ishte një rrugë konsistente, ku duke ecur arriti të grumbullonte një koalicion të rëndësishëm të grupeve të shoqërisë greke, si nga sindikatat, grupimet e interesit etj, forcat e vogla politike dhe natyrisht duke fuqizuar kauzën që ai mbrojti me konsistencë dhe që i dha fitoren në zgjedhje. Sot Syriza është alternativa më e madhe politike e së djathtës konservatore të Nea Demokratia, duke u konsoliduar si një forcë e re e së majtës, e larguar më shumë nga qendra.
Movimento 5 Stelle në Itali, e krijuar si një grupim antiestablishment nga komediani Beppe Grillo dhe inxhinieri informatik Gianroberto Casaleggio, i cili krijoi një rrjet onlinë aq të fuqishëm, sa u bë promotori i rritjes së ndjekësve të kauzës së Grillos, i cili denoncoi për vite në spektaklet e tij jo thjesht politikën por edhe oligarkinë financiare e korrupsionin në vend. Në vitin 2008, blogu i Beppe Grillos, i ndërtuar nga Casaleggio ishte i 10-ti në botë për nga ndjekja.
Movimento 5 Stelle, përpara se të hynte në sistem bëri një audicion të madh në shoqëri ku arriti të afrojë emra të njohur të jetës civile dhe kulturës italiane deri edhe nobelistë si shkrimtari e regizori i njohur Dario Fo.
Në vitin 2007, Grillo në të ashtuquajturën V-Day(Vafabculo Day) arriti të mbushë sheshin e Bologna-s, ku dhe mblodhi firmat për një ligj për të pastruar politikën. Në 2008, Grillo tentoi edhe të garonte për tu zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike Italiane(të qendrës së majtë) me synimin jo për të fituar po për të targetuar elektoratin.
Hyri për herë të parë në sistem nëpërmjet listave civile në zgjedhjet lokale të vitit 2009 ku mori një përqindje të vogël këshilltarësh. Në vitin 2012 arrin një sukses të madh në zgjedhjet lokale ku mori 4 kryetarë bashkish, ndërmjet të cilëve edhe kryebashkiakun e Parma-s, një bastion i fuqishëm i së majtës italiane. Po atë vit triumfon në zgjedhjet lokale në Siçili, me anë të një diskursi antimafie ku del forcë e tretë në rajonin e ishullit më të madh italian.
Në zgjedhjet parlamentare të një viti më pas, 5 Stelle arrin të marrë 25.55% të votave, duke u renditur forcë e dytë dhe bën të mundur ndalimin e krijimit të një qeverie të PD-së me Pier Luigi Persanin kandidat për kryeministër.
Në 2016-ën arriti të fitojë në dy qytete të mëdha të Italisë si Kryeqytetin Romë dhe Torinon. Ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2018, arrin të bëhet forcë e parë, duke marrë 32% të votave dhe duke marrë në dorë qeverisjen e vendit, ku ka kryeministrin Giusepe Conte.
Por le të vijmë në rajonin tonë. Kemi rastin e Malit të Zi, ku për herë të parë, një opozitë e fragmentarizuar arriti të rrëzojë nga pushteti “të pamposhturin” Milo Gjukanoviç. Mali i Zi ka një sistem proporcional kombëtar me një prag 3%, por pakicat që kanë më pak se 15% të popullsisë e kanë më të vogël 0.7%. Në zgjedhjet e 30 gushtit, partitë opozitare që janë shumë e kanë brenda tyre një spektër shumë të gjerë me radikal e ekstremistë e centristë etj, arritën të formojnë 3 koalicione.
Koalicioni më i madh: “Për të ardhmen e Malit të Zi” ka brenda tij 12 parti që nga komunistët e deri te nacionalistët serbë. Koalicioni i dytë: “Paqja është Kombi Ynë” bashkoi rreth tij 5 parti të ndryshme, të majtës dhe të qendrës. Ndërsa “E Bardha në të Zezë” e Dritan Abazoviçit, ka brenda saj tre formacione, ku dominon URA e tij.
E ky bashkim (përveç të tjerave)i solli opozitës fitoren në zgjedhjet parlamentare me vetëm 1 deputet më shumë. Kështu që rrugët për të çarë sistemet e thyer statusquo-në në politike janë të shumta, por fakt është se kjo ndodh atëherë kur ka kauzë, konsustencë dhe natyrisht plan politik për të bashkuar sa më shumë zëra e grupe drejt një formacioni të ri politik, që mund të mos jetë uniformë, por një formë e re dhe e ndryshme e kastës aktuale. Dhe e vetmja mënyrë për të çarë është konkurrimi në zgjedhje, deri sa të arrihet qëllimi final-fitorja.
Tërheqjet dhe shkrirjet e grupimeve sapo mbarojnë zgjedhjet janë natyrisht një pranim i distfatës dhe mungesë vullneti për të ecur politikisht në rrugën që të çon tek fitorja. Fundja pa u provuar në politikë, askush nuk mund të arrijë të bëhet vizual dhe i dukshëm për zgjedhësit…
Gazeta Shqip