“FBI-ja shqiptare”/ Gara për superhetuesit, nis përzgjedhja e më të mirëve, do trajnohen në SHBA

Ngritja e FBI-së shqiptare ka ngjallur interes të shumtë nga aplikantët, pas thirrjes për rekrutimin e “superhetuesve”.
Gazeta SHQIP mëson se 165 oficerë policie, oficerë të policisë gjyqësore dhe juristë kanë shprehur dëshirën për tu bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Afati skadon më 29 shtator, por burime bëjnë me dije së numri i lartë i aplikimeve pritet të rritet edhe gjatë 3 ditëve në vijim.
Pas përzgjedhes së atyre që plotësojnë kriteret ligjore, gara për 60 hetuesit e FBI-së shqiptarë do të kalojë edhe faza të tjera si testimi me shkrim, testi psikologjik dhe ai i poligrafit. Nga kjo listë do të përgjidhet edhe nëndrejtori i BKH-së. Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK dhe ka një ngjashmëri me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara.
Për këtë arsye hetuesit dhe drejtuesi i BKH-së do të trajnohen për tre muaj në akademinë e FBI-së në Virxhinia. Pak ditë me parë drejtuesja e BKH-së Aida Hajnaj garantoi se ky proces do të udhëhiqet nga transparenca për të përzgjedhur hetuesit më të mirë.
Gazeta Shqip