‘’Blegtoria dhe bujqësia e braktisur’’- Çuçi publikon shifrat e i përgjigjet Metës: Ka zgjedhur…

Ministri i Bujqësisë, Blendi Çuçi i është përgjigjur Presidentit Ilir Meta, i cili ngriti sot shqetësimin mbi braktisjen e bujqësisë dhe blegtorisë.
Me një shënim në facebook, ku ka publikuar edhe disa shifra, Çuçi i thotë Presidentit se “po bën fushatë me postin e tij”.
Sipas Çuçit, kurrë më parë s’ka pasur një mbështetje të tillë për bujqësinë në tërësi dhe sektorin e blegtorisë, ndërsa akuzon Metën se “refuzon t’i shikojë faktet”.
Postimi i plotë:
Kreu i shtetit që ka zgjedhur të bëjë fushatë me postin e Presidentit në shkelje të hapur të Kushtetutës edhe sot kur foli për blegtorinë thotë të pavërteta. Kur ai ishte zëvendës i qeverisë së Saliut në vitin 2012, nga buxheti i shtetit mbështetja për blegtorinë ishte vetëm 202 milionë lekë dhe numri i përfituesve 2178 fermerë. Kur partia e tij la drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2017 numri i përfituesve zbriti frikshëm në vetëm 844 fermerë. Numri më i madh i përfituesve ka qenë në tri vitet e fundit, duke arritur në 3754 fermerë në vitin 2020 me një buxhet plot 727 milionë lekë.
Në këtë vit masa e përfitimit është më e madhja për krerë, krahasuar me vitet e mëparshme. Po kështu, edhe numri i përfituesve dhe fondi i përdorur është më i madhi në gjithë periudhën (2012-2020). Nga Skemat Kombëtare për periudhën 2017-2020 kanë përfituar drejtpërdrejt 13800 fermerë dhe agrobiznese nga masat mbështetëse direkte dhe projekte investimesh me një fond të përdorur prej rreth 3.5 miliardë lekësh. Kurrë më parë s’ka pasur një mbështetje të tillë për bujqësinë në tërësi dhe sektorin e blegtorisë.
Kemi nisur ndërkohë reformimin e Shërbimit Veterinar, i cili mori një goditje fatale në vitet kur partia e Presidentit drejtonte Ministrinë e Bujqësisë. Fermerët do të përfitojnë vaksinim dhe matrikullim falas për kafshët blegtorale dhe do të mbulohet me shërbim i gjithë territori i vendit. Faktet që kreu i shtetit refuzon t’i shikojë, dëshmojnë se në “rënie të lirë” nuk është bujqësia, por vetë Presidenti që ka braktisur rolin kushtetues për të bërë udhëheqësin e dëshpëruar të opozitës pa shpresë.