Kur do ndëshkohen peshqit e mëdhenj? Kryeprokurori Olsian Çela ‘ia pason topin’ Arben Krajës: Pyesni kreun e SPAK

Reforma në drejtësi, krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivele të larta janë kompetencë e SPAK-ut.
Pohimi ka ardhur nga Prokurori i Përgjithshëm i vendit, Olsian Çela. I ftuar në emisionin “Ilva Now” të moderatores Ilva Tare në Euronews Albania, Çela tha se ky qartësim është për opinionin publik pasi ata presin nga Prokuroria e Përgjithshme të çojë para drejtësisë emra të njohur, duke konfirmuar kompetenca të plota për SPAK-un dhe kryetarin e saj, Arben Kraja.
“Për këtë duhet të pyesni z. [Arben] Kraja [kryetar i SPAK-ut]. Një nga kompetencat që ka Prokurori i Përgjithshëm është që të referojë raste për shkelje disiplinore Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Kemi krijuar sektorin e monitorimit që do të monitorojë shkeljet e prokurorëve dhe oficerët e policisë gjyqësore, informacionet që mbledhim janë administrative dhe i çohen inspektorit dhe kështu ndihmojmë Inspektoratin me synim përmbushjen e detyrave që ai ka,”– shpjegoi Çela.
Gjatë intervistës Çela tha se sfida kryesore e Prokurorisë së Përgjithshme mbetet rritja e besimit të qytetarëve te sistemi i drejtësisë, te prokurorët dhe gjyqtarët. Kjo ishte hera e parë që Çela shfaqet në një studio televizive dhe për këtë e ka një shpjegim. Sipas tij, daljet publike shpesh kanë sjellë zhgënjime dhe për këtë ka vendosur të mbaj një nivel të ulët në publik.