“Më mori hopa dhe…”/ Rudina Hajdari rrëfen takimin e fundit me të atin: Ja çfarë më premtoi

Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit ka rrëfyer mbrëmjen e sotme takimin e fundit me babain e saj një orë para se ai të ekzekutohej.
Hajdari ka treguar se ajo sëbashku me vëllain dhe nënën 7 muajshe shtatzënë ka shkuar pranë selisë së PD dhe janë ulur pranë nj lokali, ndërsa Azemi sapo kishte ardhur nga një miting.
Ajo tregon se ai ishte shumë euforik ndërsa rrinte vetëm duke i përqafuar fëmijët e tij.
Pyetje: Si e morët vesh që babai juaj u ekzekutua dhe ndërroi jetë?
Hajdari: Kemi qenë në selinë e PD bashkë me familjen. Një orë para se të ndodhte ngjarja kemi qenë në një lokal para PD. Kemi bërë një takim dhe babi ishte shumë euforik. Shumë i lumtur, kishte dalë nga një miting në Fier dhe ishte duke treguar ngjarjen. Ishte gjithë kohës duke na përqafuar mua dhe vëllain dhe mbaj mend që mamaja ishte shtatë muajshe shtatzanë.
Ishte një moment familjar i ngrohtë. Kur u ndamë tha që donte të shkonte në zyrë të ndiqte lajmet. Në atë moment iu bashkova atij, më mori hopa dhe shkuam drejt zyrës së tij dhe patëm një moment si përplasje me policinë dhe në retrospektivë e mbaj mend si ngjarje, ku një makinë që kaloi aty, e ndaloi dhe ai ishte pak i nervozuar dhe i tha që kalo, se ne ishim bashkë.
Kur u ndamë, po e prisnim në shtëpi, sepse na premtoi që do vinte të hante darkë. Shkuam në shtëpi dhe po e prisnim dhe në momentin që ndodhi ishte i vështirë. Në të gjithë Tiranën u ndje. Nuk ka njeri që nuk më ka thënë që çdo gjë ndaloi atë ditë.