Kush nuk paguan detyrimet për mirëmbajtjen e pallatit do gjobitet, ja ndryshimet ligjore të Bashkisë

Nuk kanë qenë të pakta rastet kur banorët e pallateve ankohen për komshinj problematikë që nuk paguajnë detyrimet, që nga tarifat për ashensorët, tarifat për pastrimin, ndriçimin, apo edhe për probleme që shfaqen në ambientin e përbashkët.

Por duket se tashmë pakënaqësitë që kanë ndaj njëri tjetrit nuk do të kalojnë aq lehtë. Bashkia e Tiranës ka paralajmëruar se do ta zgjidhë këtë ngërç. Ata që nuk paguajnë detyrimet për mirëmbajtjen e pallatit (hapësirave të përbashkëta) do të gjobiten dhe detyrimet do t’i paguajnë në faturën e ujit.

Mos u çudisni që pas disa muajsh t’ju vij një faturë e kripur nga ujësjellësi, i cili do të mbledhë jo vetëm shpenzimet për ujin por edhe për detyrimet që nuk paguani prej muajsh për mirëmbajtjen. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak janë paralajmëruar ndryshime ligjore në muajt në vijim që fuqizojnë kompetencat e administratorëve të pallateve.

Parashikohet që administratorëve t’u jepet fuqia për të vendosur masa penalizuese edhe për ndotësit e ambienteve të përbashkëta, një problem ky në fakt i konstatuar dhe i denoncuar herë pas here ne media .

Agron Haxhimali, Drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive sugjeroi në “Wake Up” në Top Channel mënyrën se si mund të zgjidhet kjo përplasje.

“Nëse unë do isha administratori, do mblidhja gjithë banorët, kryefamiljarët e atij pallati, do ju vija në dispozicion këtë kontratën, e cila është hartuar në bazë të ligjit, në bazë të rregullave.

Kjo kontratë tregon që qytetarët, banorët, e një pallati në bashkëpronësi duhet të mblidhen të organizojnë asamblenë e tyre, të zgjedhin një kryetar asambleje dhe kjo e fundit të zgjedhë një administrator dhe ky të hartojë politikat e mirëmbajtjes së pallatit me bashkëpronësi.

Këtu do të përcaktohet çfarë shërbimesh do të japin dhe cila do të jetë pagesa për shërbimet”, deklaroi ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT